Doganat kanë realizuar 100% planin gjatë muajit janar. Kështu të paktën deklaron drejtoresha e Doganave Pranvera Fagu, sipas të cilës do të vazhdohet me këtë ritëm gjatë vitit.
“Kështu shpresojmë dhe në këtë moment ne jemi mbi 100% të planit. Për herë të parë pas atyre kritikave, lumë kritikash që ne kemi mbajtur për të ardhurat e vitit që shkoi me të drejtë”, theksoi ajo.
Për sa i përket parashikimit, ajo tha se ishte sfida e saj personale për të realizuar planin. “Sigurisht që ne nuk jemi të lumtur me parashikimin, çdo administratë do të ishte e lumtur me faktin. Por ama ky është një target i jonë dhe ne kemi një sfidë tonën. Dhe sidomos për sivjet realizimi i planit është sfidë institucionale. Unë do ta shtrija dhe në planin personal, është dhe sfida ime personale”, u shpreh.
Sipas Doganave, gjatë muajit janar ka 12% më shumë të ardhura se sa e njëjta periudhë e vitit të shkuar. “Ka një sërë faktorësh edhe pozitivë, edhe negativë. Me mbarimin e muajit u bë dhe analiza përkatëse. Nëse faktorët pozitivë janë plus 2 miliard rezultati ishte minus 1 miliard lekë i këtyre faktorëve. Ndaj dhe ishim vetëm 12%”, u shpreh ajo.
Duke folur për vitin e shkuar, shefja e Doganave tha se ka mungesë në të ardhura prej 12.1 miliardë lekë.
“Referuar vitit që lamë pas 2015, ne kemi një minus në raport me planin në shifrën 12.1 miliardë lekë, ndërsa në raport me faktin e realizuar në 2014 kemi një shifër 6. 1 miliard lekë. Kjo është bërë objekt i një analize të thellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe sot me bindje themi që faktorët që kanë ndikuar në këtë mosrealizim të ardhurash kanë qenë shumë”, theksoi ajo për Ora News.
Zonja Fagu ia atribuoi faktorëve të jashtëm mungesën e këtyre të ardhurave, si rënia e çmimit të naftës apo ulja drastike e importit të duhanit. Megjithatë, ka jo pa zëra që thonë se është rritur informaliteti në sektorin e cigareve, gjë që e ka pranuar edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani.
E pyetur për veprimtarinë e kompanisë britanike “Crown Agents”, shefja e Doganave pranoi se nuk ka pasur rritje të ardhurash as me ndërhyrjen e kompanisë.
“Tashmë nuk kemi se çfarë të fshehim, të ardhurat nuk janë realizuar, por në asnjë moment nuk mund të themi se impakti i mosrealizimit të të ardhurave ishte për shkak të faktorit Crown Agents. Kjo ka lidhje me faktorë të tjerë, të jashtëm objektivë, sigurisht dhe performancë doganore”, u shpreh ajo. /Dita/
