Bejukaga Haxhijev “fajëson” Orges Shehin dhe lojën mbrojtëse të Skënderbeut për barazimin pa gola të arritur në Bakú, javën e kaluar. Trajneri i kampionëve të Azerbajxhanit e sheh kryesisht në këtë aspekt shkakun që skuadra e tij nuk shënoi gol. “Që nga minuta e parë deri tek e fundit, shqiptarët u mblodhën në mbrojtje. Qëllimi i tyre i vetëm ishte të largonin topin nga zona. Megjithatë, ne prapë kishim raste për të shënuar, por portieri i tyre atë mbrëmje ishte në formë të shkëlqyer”, thotë trajneri i Neftchi për gazetën “Azeri Sport”.
– Vetëm kaq, nuk bëtë asnjë gabim? Thjesht pa fat?
– Bëmë edhe gabime. Nëse djemtë do të kishin gjuajtur më saktë, portieri shqiptar nuk do të kishte qenë lojtari i ndeshjes. Megjithatë, cilësoj veten time si fajtorin kryesor.
– U ndje mungesa e Nikolas Kanales? (sulmuesi kilian i larguar – Dita)
– Jo. Duhet ta harrojmë atë. A jeni të sigurt se Kanales do të luajë përsëri aq mirë sa sezonin e fundit? Unë për vete jam i sigurt se Platje ose Nfor do ta kalojnë atë dhe do të jenë edhe më të rëndësishëm se Kanales për skuadrën.
– Çfarë prisni nga ndeshja e dytë?
– Fitoren e Neftchi. Besoj se kundërshtari do të luajë më i hapur, kështu që do të kemi hapësira për të sulmuar. Por, duhet të mendojmë edhe për mbrojtjen. Duhet pasur kujdes, por kjo nuk do të thotë se do të luajmë në mbrojtje.
– Nuk druheni se mund të shkojë diçka keq?
– Jo. Sigurisht, gjithçka mund të ndodhë në futboll, por nëse ke frikë, më mirë të ndryshosh profesion. E dimë se çfarë duhet të bëjmë. Në Shqipëri do të shihni një tjetër Neftchi. Ndryshe, do të ishte zhgënjim i madh.
– Nëse eliminoheni, mund ta merrni në konsideratë largimin?
– Unë jam ai që përgjigjem për rezultatet. Jam gati për çdo gjë, nuk i druhem përgjegjësisë.
– Ndërkaq është hedhur shorti i turit të tretë, BATE Borisov ose Shahtjor Karaganda. Kë do të preferonit?
– Shahtjorin, do të ishte shumë interesante. Por, më parë duhet të fitojmë të drejtën për të luajtur në raundin e tretë.
