FRD është partia e të pakënaqurve, por mbi të gjitha është parti e të pangopurve. Kështu shprehet deputeti demokrat, Sherefedin Shehu, në një intervistë për gazetën “Panorama”.
“FRD-ja po përpiqet të marrë vota me kundërshtimin që i bën PD-së dhe Berishës, nuk e bazon veten dhe të ardhmen me alternativa apo objektiva specifike politike. Ajo nuk ka identitet politik, por është një grupim i bazuar në interesa individësh që përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësitë momentale. Për ta parë të vërtetën e saj, kjo parti ndonëse mund të jetë e të pakënaqurve, në fakt këta të pakënaqur kanë konsumuar mandate deputetësh, ministrash dhe Presidenti. Në gjuhën popullore mund të quhen “të pangopur”. Në kuptimin politik, ajo nuk ka ndonjë alternativë që mund t’i shtojë vlera PD-së”, thotë Shehu për të përditshmen “Panorama”.
Ndërsa në lidhje me një tjetër aleancë të mundshme të PS-së me LSI-në, Shehu shprehet se kësaj të fundit i intereson një koalicion me demokratët.
“LSI-ja ka një shkëputje të dukshme nga e kaluara. Duke pasur parasysh edhe faktin se kjo parti ka qenë në koalicion të suksesshëm me PD-në, paraprakisht nuk ka asnjë pengesë për koalicion PD-LSI. Sa i takon terrenit konkret, koalicioni do të jetë llogaritje. PD-ja është e hapur për koalicione, por ajo nuk e bazon fitoren e vet në koalicion. Nga pikëpamja matematikore, LSI-së i leverdis më shumë të jetë në koalicion me PD-në sepse vetë formula është e tillë që i jep avantazh, duke e konsideruar veten si një ndër partitë e vogla që merr më tepër vota se partitë e vogla”, shprehet Shehu.