Letër e nënshkruar
Muhamet Fishku
Duke marrë shkas nga tele-stërgjatja Doshi-Luli e Baca, më vjen ndërmend një fabul ku një “budalla” hedh një gur në ujë e 100 të “mençur” kërkojnë ta nxjerrin. Pyeta një pastruese se cili ishte budallai në këtë mes. Përgjigja qe pa asnjë hezitim: Ata që e kërkojnë. Kam frikë se po hyjmë te këto të fundit.
Na fanitet në gazeta e televizorë një farë kufome e pa kallur që hedh atë gurin e shejtanit e ne mundohemi e rropatemi për ta gjetur. A nuk duket çmenduri? Ç’dreq kërkon akoma ky pjellë e së keqes? Si nuk u ngop me zararet që ka bërë?! Ky farë birboje haluçinant ëndërron të marrë pushtet me pushkë në mes të Europës.
Unë nuk dyshoj në qëllimin e këtij plaku diabolik që nëpërmjet shamatës kërkon t’i shpëtojë ndëshkimit tepër të vonuar, por më vjen keq që ka ende ndonjë gjytyrym që e ndjek. Në këtë rresht, për fat të keq hyn edhe kryetari aktual i PD-së që deri më sot nuk ka qenë asnjë ditë i tillë. As ai e as ne nuk mund të mendojmë qartësisht pa hequr qafe këtë makth që si një ëndërr e keqe vazhdon të mundojë këtë popull. Doshi, Luli e Strazimiri janë hiç pa Baca doktorin. Do Zoti e shpëtojmë prej shejtan-budallait që na ra për hise. Besoj e uroj të jetë sa më e shpejtë!
