Është krenari të përshkruash portretin e një gruaje si Myrvete Vyshka (Bejto), rrugëtimin e formimit të saj në jetë. Lindi në qytetin e Vlorës me 24.06.1924 në një familje me tradita patriotike. Babai i saj Halim Bejto Mersini, një nacionalist i shquar, qe kishte studiuar në shkollën e njohur Zosimea, përkrahu që në fillim lëvizjen për çlirimin e vendit nga pushuesit fashistë. Ai i edukoi fëmijët e tij me ndjenja të larta patriotike dhe atdhedashurie.
Myrvetja, më e madhja e fëmijëve, u bë anëtare aktive e bërthamës së rinisë revolucionare në Shkollën Tregetare të Vlorës, lëvizje e cila drejtohej nga Halim Xhelo Tërbaçi. Më pas ajo u bë pjesë e njësive partizane të rinisë antifashiste të Vlorës, duke u rreshtuar vullnetarisht në Çetën Plakë të Vlorës, të drejtuar nga (Besniku) Hysni Kapo dhe Rrapo Dervishi.
Inkuadrimi në Brigadën e 5-të Sulmuese qe angazhimi final i saj në luftën, për t’i sjellë popullit lirinë e ëndërruar. Ajo u bë shembull në moshën 17 vjeçare si drejtuese e rinisë së brigadës për të mbledhur rreth saj vajzat e krahinës së Vlorës, si Nimete Progonatin etj.
Idealiste dhe fisnike deri në kufijtë e vetëmohimit, edhe pse u plagos rëndë në luftën e Salarisë, nuk e ndali guximin e saj në rrugëtimin e gjate të Brigadës së 5-të deri në Mitrovicë të Kosovës. Atje mori vesh vrasjen tradhtisht të babait të saj, Halim Bejto Mersinit, i cili la pas shtatë fëmijë jetimë. Edhe ata vazhduan idealin e familjes, edhe pse të vegjël, duke dhënë kontributin e tyre në Luftën Nacional-Çlirimtare.
Kthimi i Myrvetes nga Kosova më 1945 nuk qe fundi i përpjekjeve të saj. Në krye të organizatës së rinisë të Vlorës ajo tregoi aftësitë dhe energjitë e saj për organizimin e të rinjve dhe të rejave në aksionet për rindërtimin e Shqipërisë.
Në këto aksione e veprimtari u njoh me komunistin e orëve të para të qytetit të Elbasanit, Izet Vyshka, i cili ishte i deleguar nga Partia dhe kryente funksione partie në Vlorë. Ata krijuan një familje të shëndoshë e të virtytshme dhe së bashku vazhduan kontributin e tyre për rindërtimin e vendit në Vlorë, në Shkodër, në Elbasan. Myrveti, gjithnjë modeste për atë që kishte dhënë, nuk i ndali për asnjë çast përpjekjet për emancipimin e shoqërisë, veçanërisht të gruas shqiptare, dhe për zhvillimin e vendit.
Myrvetja do të mbahet mend në qytetin e Elbasanit si një vullnetare e flaktë në shërbim të emancipimit të gruas shqiptare, duke përçuar në çdo rrugicë, në çdo fshat të renë, zhvillimin, në mënyrën e të jetuarit, e sidomos në rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Si drejtoreshë e çerdheve të qytetit të Elbasanit do të mbahet mend nga prindërit si një kujdestaredhe organizatore e shkëlqyer e rritjes së fëmijëve; si ndihmësmjeke ajo vuri në shërbim të fëmijëve dijet dhe përvojën e saj, që ata të rriteshin të shëndetshëm e të lumtur.
Ajo qe një nënë shembullore për fëmijët e saj, të cilët i rriti, i edukoi dhe i arsimoi të gjithë me shkolle të lartë. Ajo qe një gjyshe e mirë, qe u dha nipërve dhe mbesave ndjenja dashurie, mirënjohje dhe respekti, qe një stërgjyshe që i ushqeu ata pareshtur me ndjenja atdhedashurie dhe patriotizmi. Ajo qe nderi i një shoqërie kudo qe jetoi dhe punoi, shembulli i një gruaje krenare dhe të fortë.
Myrvete Vyshka për kontributet e saj është dekoruar me Medaljen për Çlirimin e Atdheut, me Medaljen e 50-Vjetorit të Çlirimit, me medaljen e 40-vjetorit të Ushtrisë, me medaljen e 40- Vjetorit të PPSH, me Medaljen e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar dhe me Medaljen e Frontit Demokratik të Shqipërisë (Kongresi 6-të i Frontit Demokratik të Shqipërisë). Ajo u nda nga jeta para pak ditësh në moshën e nderuar 92 vjeçe, e rrethuar nga kujdesi dhe dashuria e familjes, e të afërmve dhe miqve të shumtë, të cilët do ta kujtojnë gjithnjë me nderim të veçantë.
