Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat . Uzurpimi dhe përvetësimi i të mirave materiale, vjedhja dhe pasurimi i paligjshëm, paraqesin shkallën më të ulët të ndërgjegjes politike dhe kombëtare të atyre që merren me këto veprime të shëmtuara.
Ata të cilët e vjedhin atdheun dhe popullin e vet, janë qëniet më të pa moralshëm kombëtarisht dhe politikisht, për karakterin e të cilëve nuk ia vlen të flitet, sepse atdhedashuria dhe përvetësimi i pasurive të atdheut në mënyrë të paligjshme nuk shkojnë bashkë me patriotizmin, ndaj lufta rreth tenderave, blerja e objekteve private dhe shoqërore pa kritere të mirëfillta financiare dhe ekonomike, marrja me biznese të dyshimta dhe tregëti të llojeve kontrabanduese pa i respektuar ligjet dhe normat financiare, pa i kryer dhe paguar shtetit tatimin detyrues, pra pa i dhënë askujt llogari për veprimtarinë private, del e qartë diagnoza se shoqëria shqiptare aktulisht gjendet në kolaps ekonomik , pasojat e të cilit do të jenë shumë të rënda për shoqërinë.
Nëse nën këto rrethana që po bëhet sot ndërrimi i gjeneratave në Shqipëri,por edhe në Kosovë e Maqedoni, atëherë duhet të qahemi me lotë për rininë tonë e cila në vend që të bëhet pjesë e vlerave të botës së civilizuar, të rinjët shqiptarë,duke u marrë me vetveten për shkak të papunësisë, duke jetuar dhe duke u rritur me logjikën e korrupsionit, parazitizmit dhe gjithë asaj që është në kundërshtim me rregullat e një shteti demokratik, s’ka dyshim se do të shndërrohet në një brez që nuk premton shumë për të ardhmen e vet dhe as të kombit që i takon.
Email nga adresa: [email protected]