Iker Kasijas ka hyrë në histori si portieri që nuk ka pësuar asnjë gol në Kupën e Spanjës, gjatë rrugës drejt finales. Real Madrid u kualifikua pasi mundi për herë të dytë Atletiko Madrid, 2-0, me dy penallti të shndërruara në gola nga Ronaldo, që në pjesën e parë. Kasijas pati fat midis dy penalltive, pasi Atletiko goditi shtyllën, çka do t’i prishte rekordin, por jo ecurinë fantastike gjatë këtij kompeticioni. Portieri i Spanjës nuk luan në kampionat dhe mjaftohet vetëm me Kupën dhe Champions League. Në tetë ndeshje të luajtura në Kupë, Reali nuk ka pësuar gol nga Olimpik Xativa, Osasuna, Espanjol dhe së fundi Atletiko. Çështja e kualifikimit ishte mbyllur që në takimin e parë, fituar 3-0 nga Reali, ndaj edhe Simeone i Atletikos mbajti pa aktivizuar lojtarët e tij më të mirë. “Jam shumë i kënaqur që kemi arritur në finalen e Kupës, pasi ky ishte objektivi ynë”, tha Kasjas. “Rekordet nuk kanë rëndësi për mua, jam i lumtur që nuk pësova gol, duke ndihmuar skuadrën”.