Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, Shqipëria ka pasur Presidencën e Rrjetit Shëndetësor të Evropës Jug-Lindore, SEEHN, dhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka shërbyer si President i këtij forumi ndërqeveritar të ministrive të shëndetësisë të Europës Jug-Lindore, i cili është themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Iniciativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Evropën Jug-Lindore. SEEHN përbëhet aktualisht nga 9 anëtarë: Shqipëria, Bosnia-Herzegovina, Bullgaria, Izraeli, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia.
Në kontekstin e Presidencës së Shqipërisë të SEEHN-it, në datat 10-11 dhjetor 2015, po zhvillohet në Tiranë Mbledhja e Nivelit të Lartë të Ministrive të Shëndetësisë të SEEHN-it, me temë: “Fuqizimi i sistemeve shëndetësorë për Mbulim Shëndetësor Universal me qëllim përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies. Kjo mbledhje është veprimtaria më e rëndësishme e Presidencës shqiptare të SEEHN-it dhe zhvillohet në kontekstin e rolit të rëndësishëm që po merr Qeveria shqiptare në zhvillimet rajonale si edhe në kuadrin e reformimit të sistemit shëndetësor.
Qeveria shqiptare ka shpallur një objektiv programor madhor të saj, Mbulimin Shëndetësor Universal. Ky objektiv i guximshëm i Qeverisë shqiptare është një objektiv i gjithë botës së qytetëruar. Mbledhja vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare drejt Mbulimit Shëndetësor Universal dhe Aksesit Universal, në mënyrë të veçantë aplikimin e Kontrollit Bazë Falas për Grup-moshat 40-65 vjeç dhe themelimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, i cili pritet të fillojë nga zbatimi së shpejti.
Mbledhja vlerësoi, gjithashtu, vizionin e Qeverisë shqiptare në reformimin e sistemit shëndetësor dhe kalimin nga adresimi i sëmundjeve, në adresimin e shëndetit. Puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, që lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura, kanë luajtur një rol të dorës së parë për suksesin në realizimin e objektivit të një Shqipërie pa duhan.
Mbledhja vlerësoi se gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria po jep një kontribut të rëndësishëm edhe në mbështetjen e bashkëpunimit rajonal për luftën kundër sëmundjeve infektive. SECID, Qendra Rajonale e Survejancës së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik, ka luajtur një rol koordinues dhe nxitës për përforcimin e kapaciteteve për kapjen e hershme të infeksioneve që shkaktojnë epidemi si dhe në drejtim të njoftimit të hershëm dhe zbatimin e rregullores ndërkombëtare të shëndetit.
Mbledhja trajtoi edhe çështje të tjera të bashkëpunimit rajonal, si sinergjia midis rritjes ekonomike dhe shëndetit, përballimi i sfidave dhe rreziqeve të reja për shëndetin, impakti në shëndetin dhe sistemet shëndetësore i flukseve migratore, etj. /Dita/
