Në një takim me studentët të zhvilluar pasditen e së mërkurës, kryetari i PS Edi Rama ka prezantuar programin e kësaj force politike për sektorin e shëndetësisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama e ka vënë theksin tek padrejtësitë që sipas tij bëhen në sistemin shëndetësor, edhe ndaj atyre që i paguajnë rregullisht kontributet.
“Shqiptarët kanë shpenzuar 50 milionë dollarë për shëndetësinë, një shifër jo e vogël për familjet. Por sistemi shëndetësor është i padrejtë dhe ata që paguajnë sigurimet nuk marrin kujdesin e duhur”, ka deklaruar Rama.
“Sistemi i kontributeve rëndon vërtet tek qytetarët. Çdo biznes i vogël në fund të vitit me këtë qeveri do paguante 70 dollarë më shumë për sigurimet. Për çdo 100 lekë vetëm 7.5 paguhen nga kontributet. Shqiptarët kanë paguar 830 milionë lekë”, ka vijuar lideri i opozitës.
Duke kritikuar më tej gjendjen në këtë sistem jetik për qytetarët e vendit, Rama u ka dhënë të rinjve garancinë e tij se PS do ta ndryshojë situatën kur të vijë në pushtet.
“Qeveria ka dhënë mesazhin: Mos u sëmurni nëse nuk keni lekë. Kur vjen në spital nga fshati duhet të paraqesësh “gjobën” që të marrësh shërbim mjekësor. Por ne mund ta rilindim shërbimin shëndetësor në vend”, ka vijuar Rama.