Në vazhdimësi të tryezave për prezantimin e programit për shëndetësinë, Partia Socialiste ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me gratë, duke pasur në fokus të vecantë pikërisht shëndetin e tyre. I pranishëm në aktivitet, kreu i selisë rozë Edi Rama, në kuadër të ofertës së PS “shërbim falas për të gjithë”, premtoi kontrolli vjetor falas për të gjitha ato grupmosha të konsideruara në risk për tumoret e grave.
“Ne nuk kemi një strukturë kombëtare publike shtetërore që mendon dhe punon për të parandaluar sëmundjet dhe pasojat e lindjeve të vështira në kushte si ato të nënave të rejave që janë të pasiguruara ashtu si kundër s’kemi një sistem që të parandalojë tumoret tek gratë, numri i të cilave po shtohet cdo vit. Procesin e parandalimit e shikojmë të lidhur jo vetëm me sistemin shëndetësor , por edhe me sportin në shkollë. Ne do të ofrojmë kontroll vjetor falas për një grupmoshë të caktuar brenda 2014. Jemi të bindur dhe të angazhuar që të ndërtojmë një sistem të kontrollit vjetor për grupmoshat e konsideruara në risk për tumoret e grave. Në 18 vjet më shumë se gjysma e lindjeve janë të pasiguruara, më shumë se gjysma e fëmijëve kanë lindur nga nëna të pasiguruara.Ky sistem rrënon moralin shoqëror. Janë të rralla në botë raste të cilat janë përditshmëri në vendin tonë. Të kesh 1/7 të popullsisë të siguruar dhe gjithë pjesën tjetër në mëshirë të fatit për shëndetësinë dhe të aplikosh të njëjtin sistem është shqetësuese. Nuk është sfidë e lehtë, është sfida e sfidave për 4 vitet e ardhshme për të vendosur bazat e sistemit universial” tha Rama.
Sikundër për taksimin edhe lidhur me kontributet shëndetësore, Rama ngriti shqetësimin se kush merr më pak paguan më shumë dhe kush merr më shumë paguan më pak, ose shumë pak. Kreu i PS nuk ka kursyer sërish akuzat ndaj sistemit shëndetësor aktual, duke e vlerësuar terësisht të dështuar.
“Për ata shëndetësia, kujdesi shëndetësor, është mall, për ne është e mirë publike. Ata thonë: Po s’pate lekë mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty. Ne themi: Kush sëmuret do të marrë kujdesin e shtetit edhe po s’pati lekë. Për ne shëndetësia, kujdesi shëndetësor, është e mirë publike. Ndaj ne jemi të vendosur që ta mundësojmë për qytetarët shqiptarë sipas nevojës dhe të mos e kushtëzojmë me xhepin. Sistemi aktual pas 18 viteve ekzistencë falimentare ka treguar se kushtëzimi me xhepin i kujdesit shëndetësor nuk bën asgjë tjetër veçse degradon sistemin dhe ul vijimësisht cilësinë e kujdesit shëndetësor. Sot praktikisht, mbas 18 vjetësh, përveç asaj që shihet nga të gjithë dhe që preket nga të gjithë në kontaktin më të parë me sistemin aktual shëndetësor, bilanci është dramatik dhe është qartësisht një bilanc falimentar. Kontribuuesit e drejtpërdrejtë për sistemin janë sot më pak se 500 mijë persona, për të qenë të saktë afro 470 mijë deri në fund të vitit 2011, pra 1/7 e popullsisë shqiptare. Nga ana tjetër sot shpenzimet për kujdesin shëndetësor në Shqipëri, në më shumë se gjysmën e tyre nuk vijnë si pagesë nga kontributet, por vijnë si pagesë e drejtpërdrejtë nga xhepi. Dhe kur flasim për xhepin, flasim në këtë rast për xhepin e atyre që nuk paguajnë dot kontributet, sepse janë të papunë. Ndërkohë që kontributet mbulojnë vetëm 7% të shpenzimeve, pjesa e mbetur mbulohet nga taksat e përgjithshme. Sot për më tepër kemi një sistem kontributiv që është regresiv. Pra, kush fiton më shumë paguan më pak si përqindje e kontributit ndaj të ardhurave. Thelbi i vizionit tonë është që t’ua mundësojmë falas përfituesve dhe ta blejmë ne, ta blejë shteti nga ofruesit e shërbimeve. Me fjalë më të thjeshta; Është e qartë, shërbimi shëndetësor ka një kosto, por kjo kosto duhet përballuar nga shoqëria edhe për ata, të cilët e kanë të pamundur t’a përballojnë vetë” theksoi më tej ai.
Ndërkaq kryesocialisti Edi Rama akuzoi sërish qeverinë se po kopjon disa pjesë të programit të Partisë Socialiste, madje kopjim të çoroditur, vlerësoi ai, duke sjellë në vëmendje heqjen e TVSH-së për një ketegori barnash, si dhe kthimin e QSUT në një universitet mjekësor, të cilën e vlerësoi si martesë të pamundur dhe një mungesë vizioni total.