Shëndeti i mirë, jo gjithnjë duhen ilaçet

anazapta

Në vendin tonë, për çdo lloj sëmundje jemi të prirur t’i drejtohemi farmacistëve, e nëse farmacisti s’e zgjidh dot çështjen, shkojmë te mjeku. E megjithatë, rrallë ndodh që mjekët të na japin zgjidhje të tjera veç ilaçeve. Pak muaj më parë, Shoqata e Fizioterapistëve ngriti problemin shumë të madh se “në Shqipëri ky shërbim në publik aplikohet shumë pak. Kjo ka bërë që pacientët për shërimin e shumë sëmundjeve t’u besojnë verbërisht dozave masive të përdorimit të ilaçeve. Por shërimi mund të jetë edhe më i shpejtë nëse aplikohet fizioterapia e kombinuar me sasinë e duhur të barnave”.

Një tjetër alternativë pak e njohur në Shqipëri është tai çia (tai chi), një art marcial kinez por që në perëndim më tepër përdoret si një lloj fizioterapie sesa si një sport. Në fakt, sot në të gjithë botën organizohet Dita Ndërkombëtare e Tai Çisë për të cilën do të ketë edhe organizime dhe demonstrime të ndryshme.

Klodeta Buzi, e diplomuar për Piano në Gjenevë dhe Biznes Muzike në Los Anxhelos, është një nga praktikueset e këtij lloj sporti në Shqipëri. Ndërsa ka dëgjuar dhe parë tai çinë kur ka jetuar e studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Klodeta, e cila ka probleme me ekuilibrin dhe siç thotë duke qeshur “shpërqendrohet shumë kollaj”, ka kërkuar në kthim për të gjetur një kurs të tillë dhe tashmë e ushtron tai çinë prej një viti. Për këtë sport dhe të mirat e tij në shëndet, ajo flet në një intervistë për gazetën “Dita”:

klodetaKlodeta, kur keni dëgjuar për herë të parë për tai çinë?

Tai Çinë (tai chi) besoj se për herë të parë e kam parë në televizor, dhe më pas kur kam jetuar jashtë Shqipërisë. Shihja gjithmonë njerëz të cilët praktikonin një sport të habitshëm me lëvizje të ngadalta. Më bënte shumë përshtypje qëndrimi i tyre perfekt dhe koordinimi që kishin në lëvizje, dhe gjithashtu një indiferencë që kishin për njerëzit përreth.

Si arritët të lidheshit me tai çinë në Shqipërinë?

Pasi dëgjova historinë e një gruaje kineze, e cila kishte probleme me ekuilibrin (ecte e asistuar) dhe më pas falë Tai Çisë arriti të rifitonte ekulibrin e saj, filloi të më intrigonte si sport. Ama, m’u deshën dhe 5 vite të tjera përpara se një ditë të postoja online “A ka kurse Tai Chi në Tiranë?”

Disa ditë pas postimit tim, më erdhi një email dhe u njoha me Prof. Luan Mustën, i cili jepte kurse Tai Çie.  Që pas emailit, u bë një vit që e praktikoj këtë sport dhe gjithnjë e më shumë më mbushet mendja që kam dhe shumë vite të tjera përpara për të praktikuar. Dhe e kam me shumë qejf.

Juve ju ka dhënë ndonjë efekt tai çia gjatë kohës që e praktikoni? Shihni ndonjë përmirësim?

Tai Çia më pëlqen shumë, pasi më ndihmon në përqendrim. Një nga teoritë e saj është “Ji këtu duke mos qenë”. E shpjeguar pak më thjesht është që ti sheh gjithçka rrotull, por nuk fokuson asgjë.

Gjithashtu, kam krijuar një ekulibër shumë të mirë.

Por më së shumti Tai Çia ndihmon në njohjen e të gjithë trupit dhe lëvizjes së energjisë, kalimit të peshës së trupit nga njëra këmbë në tjetrën. Duken gjëra të habitshme ose pak të pakuptueshme, por mund ta mendoni si një pikë ujë që lëviz nëpër trup. Këtë bën Tai Çia e cila punon me energjinë dhe peshën.

Të qenit i përqendruar në një lëvizje të ngadaltë është e vështirë, pasi kryesisht përqendrimin e kam të stërvitur në momente ku ka shumë gjëra përreth dhe të duhet të fokusohesh maksimalisht, dhe në këtë sport është një lloj tjetër fokusi.

Mendoni që mjekët shqiptarë e njohin tai çinë?

Deri më tani në Shqipëri kam njohur mjekë të cilët e njohin veç si sport, por që nuk ia dinë vlerat e mëdha shëndetësore që ka. Fizioterapistja ime në SHBA ishte ajo që më sugjeroi tai çinë, pasi kishte dhe një paciente e cila përmes tai çisë kishte arritur të rifitonte ekuilibrin duke mos pasur më nevojën e asistencës nga të tjerët. Andej mjekët e këshillojnë praktikimin e këtij lloj sporti për arsye shëndetësore.

Të mirat e tai çisë 

Kur mësohet siç duhet dhe praktikohet rregullisht, tai çia mund të jetë shumë pozitive për të sjellë përmirësime të dukshme në shëndetin tuaj. Përfitimet e tai çisë përfshijnë:

• Ulje të stresit dhe ankthit

• Rritje të aftësisë aerobike

• Rritje të energjisë dhe qëndrueshmërisë

• Rritje të fleksibilitetit, balancës dhe zhdërvjelltësisë

• Rritje të forcës së muskujve dhe saktësisë

Disa dëshmi tregojnë se tai çia gjithashtu ndihmon në:

• Rritjen e cilësisë së gjumit

• Rritjen e sistemit imunitar

• Uljen e nivelit të kolesterolit dhe tensionit të gjakut

• Përmirëson dhimbjen e kyçeve

• Përmirëson simptomat e atakut kardiak

Fizioterapia

Fizioterapia sot konsiderohet si terapia që mban larg ilaçet. Ajo është metoda e rehabilitimit fizik dhe mirëmbajtjes për të gjithë ata persona që kanë pësuar dëmtime e aksidente të ndryshme apo që kanë nevojë rehabilitimi pas operacioneve të veçanta si rikuperim lëvizjesh të gjymtyrëve të dëmtuara. Ky lloj trajtimi ndihmon ata që vuajnë nga sëmundjet e kolonës e shpinës apo kanë probleme reumatizmale, ata që kanë probleme me paralizat, spondiloartrozat, herniet diskale apo neuritet, duke sjellë në mënyrë të duruar dhe fiziologjike nga fizioterapisti, riaftësim të funksioneve motorike pa asnjë efekt anësor.

Këto kohët e fundit ka hyrë në përdorim edhe për trajtimin e disa sëmundjeve të tjera duke përfshirë këtu edhe kancerin. Pacientët që mund t’i nënshtrohen fizioterapisë, nuk duhet të jenë në gradën e fundit të sëmundjes. Shanset më të mëdha për një rehabilitim të plotë i kanë ata të sëmurë që trajtohen që në fazën e parë apo të dytë të problematikave shëndetësore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *