Tirana është përfolur shumë si një qytet me kafene të shumta dhe po kaq të shumtë janë njerëzit që kalojnë kohën në to. Edhe pse shumë prej nesh, shpesh, akuzojnë veten se bëjnë një jetë sedentare, pa aktivitet fizik dhe të kequshqyer, përsëri e gjejnë të vështirë të ndryshojnë rutinën e tyre.
Por ne kemi zbuluar një vend, që do të donim ta ndanim me ju, i cili ndoshta nuk do iu ndryshojë jetën, por do i japë një shije tjetër ditës. Gjendet në zonën e ish-Bllokut, por larg zhurmave, në një qoshe mbrapa Presidencës, në rrugën që të çon për te Garda e Republikës, ndodhet Bioteka, që ofron fruta dhe perime të shtrydhura. Është një qoshe modeste, por me shumë ngjyra, të cilat ia dhurojnë produktet që janë të destinuara të përfundojnë në… lëng. Vendosëm të hynim e të shihnim se çfarë ishte kjo prurje e re në Tiranë. Edhe pse ka më pak se një muaj që është hapur, si ne, edhe shumë të tjerë, hapnin derën e këtij lokali dhe pyesnin me habi se, çfarë ofrohet aty?! Të huajt ishin ata që e shfaqnim edhe më shumë lumturinë për këtë “zbulim”! Ata e konsiderojnë si një ”bekim” që u ka ardhur, pasi në vendet nga vijnë mund të gjejnë shumë të tilla. Kërkuam të takonim personin që ka menduar ta hapë këtë Biotekë. Nuk ishte burrë. Na shfaqet përballë një vajzë bionde, me sy të kaltër, duke i shtuar pamjes së saj vështrimin dhe buzëqeshjen kurioze, kërkon nga ne një mendim për këtë prurje të re në kryeqytet. Është Arjola Mehmetaj. Shumë shpejt kuptuam se ajo nuk ishte rastësisht krijuesja e këtij vendi. Arjola njihet në Tiranë si një vajzë që kujdeset shumë për veten dhe trupin e saj. Edhe pse nënë e një vajze 3 vjeçe, ajo nuk e ka ndalur asnjëherë aktivitetin fizik, duke shtuar këtu konsumin e produkteve BIO (“mundohem të gjej të tilla”- shton për të qenë korrekte). Na tregon se këtë pasion të sajin për të jetuar shëndetshëm erdhi një moment ku dëshironte ta ndante me të tjerët, të jepte një kontribut duke i treguar njerëzve disa receta dhe të zgjonte tek ata këtë dëshirë. Edhe pse, për të qenë e sinqertë, tregon se këtë frymë e kishte ndjerë, prej kohësh. Sipas saj, njerëzit po vuajnë pasojat e kequshqyerjes dhe këtë kanë kohë që e kanë kuptuar. Tashmë kanë filluar të ndihen të etur, e duan të zbulojnë forma për t’u ushqyer mirë. Në ditët e sotme kur mbipesha po shndërrohet në një nga sëmundjet më të rrezikshme në botë, rekomandimet që të jetojmë shëndetshëm janë të shumta. Ne zgjodhëm që në këtë vend të bëjmë një bisedë me Arjolën, e cila është një eksperte pa diplomë në këtë fushë, për t’i ‘vjedhur” disa nga recetat e saj dhe për të mësuar më shumë mbi kulturën e të jetuarit…Bio.
Arjola, pati një periudhë kur njerëzit e braktisën natyrën dhe filluan të përdornin produkte të konservuara, ndërsa kohët e fundit duket se diçka ka ndryshuar, po kërkohet të jetohet shëndetshëm. E ndjeni dhe ju këtë?

Sigurisht, edhe nga biseda që unë bëj përditë me njerëz të ndryshëm, të njohur, etj, kam konstatuar një lloj sensibilizimi në lidhje me këtë aspekt. Njerëzit kanë filluar të jenë më selektivë në përzgjedhjen e ushqimeve që konsumojnë, kontrollojnë origjinën e produkteve, shikojnë vlerat ushqyese, kaloritë që marrin, etj.
Çfarë e shtyn një vajzë si ty të hap një sipërmarrje që ka të bëj me të jetuarit mirë?
Unë e ndërmora këtë nismë, sipërmarrje, pasi kisha bërë një investigim të tregut në Tiranë edhe kisha kuptuar që një shërbim i tillë i mungonte pak a shumë kryeqytetit, domethënë një dyqan (shop) që ofron në mënyrë ekskluzive lëngje frutash e perimesh të freskëta, si dhe produkte të tjera të shëndetshme, si sandwich vegjetariane, sallata vegjetariane, ëmbëlsira ku bazën e ëmbëlsisë kanë frutat dhe sasi të moderuara sheqeri, të prodhuara nga kallami i sheqerit ( jo sintetik). Gjithashtu, mendoj që vitet e fundit ka pasur një tendence në rritje të kujdesit që njerëzit tregojnë në lidhje me ushqyerjen dhe stilin e jetesës. Kjo reflektohet te njerëzit që sheh duke vrapuar nga liqeni apo të frekuentimi gjithnjë e më i madh i palestarve apa qendrave të ndryshme sportive (si dancing, yoga etj). Të gjitha këto ecin patjetër paralelisht, duke nxitur nevojën e një Korneri si Bioteka, e cila synon t’ju përgjigjet kërkesave dhe nevojave për të jetuar shëndetshëm të shumë njerëzve që e kanë këtë dëshirë, por ndoshta ritmi i jetës e puna i kufizojnë për t’i përmbushur të gjitha në familjet e tyre.
Cila është lidhja juaj e mëparshme me të jetuarit shëndetshëm, me kujdesin ndaj vetes?
Kjo nismë është thjesht vijim i stilit të jetesës që unë praktikoj prej shumë kohësh. Unë kam qenë shumë e pasionuar pas aktiviteteve sportive, sidomos atyre në natyre. Por njëkohësisht sa herë gjeja kohë të lirë, lexoja me shumë kënaqësi e kërshëri informacione apo studime të ndryshme në lidhje me të ushqyerit shëndetshëm. Kjo për arsye krejtësisht subjektive e individualiste, sepse doja qe të kombinoja aktivitetin sportiv me dietën e duhur në mënyrë që rezultatet të ishin sa me efektive. Pra, nëse një ditë bëja vrap, duhet të pija shumë lëngje, apo nëse një ditë stërvitesha në palestër, shpesh tregohesha e kujdesshme të merrja masën e duhur të proteinave që stërvitja të kishte rezultat, e kështu me radhë. Kështu që ky kontribut që dua të jap ishte pjesë e subjektit tim të preferuar, i cili me këtë nisme të re është përforcuar dhe thelluar akoma më tepër.
Cilat janë ato lëngje që sipas jush, çdo kush duhet t’i përdorë?
Janë disa, duke filluar që nga lëng portokalli i thjeshtë apo lëng karrote e thjeshtë, deri te kombinime si panxhar, karotë, mollë, apo edhe kombinime shumë më të guximshme, si p.sh., spinaq, mollë, selino, mente e freskët, ginger i freskët dhe lime. Për të vijuar me tej në kategorinë e frutave ekzotike, si p.sh., kombinimi i avokados, ananasit, mollës jeshile dhe mente e freskët.
A ka fruta dhe perime që të bëjnë më të bukur nëse i konsumon, cilat janë ato?
Sikurse e dimë të gjithë, frutat dhe perimet janë burim vitaminash dhe sigurisht të gjitha kanë vlera ushqyese dhe vitamina. Sipas studimeve të ndryshme thuhet që njeriu ka nevojë të konsumojë të paktën 5 lloje frutash në ditë, për të përmbushur nevojat e organizmit. Për mendimin tim, njeriu duhet të përpiqet të ketë një dietë sa më të pasur, duke u ushqyer në mënyrë të ekuilibruar, të hajë sa më shumë fruta dhe perime, të marrë fibrat e duhura, yndyrnat e duhura etj. Një burim shumë i mirë acidesh yndyrore është fruti i avokados, të cilin unë personalisht e kam frutin tim të preferuar edhe mund ta cilësoja njëkohësisht si frutin e bukurisë J.
A është e mjaftueshme vetëm ushqyerja për të patur shëndet të mirë?
Sigurisht unë nuk jam eksperte shëndeti, por mendimi im është që ushqyerja luan një rol shumë të rëndësishëm për shëndetin dhe kujdesi i njeriut për veten fillon pikërisht nga mënyra se si ne ushqehemi.
Mendoni se kryeqyteti ka nevojë për këtë prurje?
Mendoj që Tirana ka nevojë për koncepte të tilla, sepse ka njerëz që e duan këtë shërbim, por shpesh nuk ju mjafton koha për ta praktikuar këtë përditë, sepse të përgatisësh lëngje të freskëta kërkon të kesh mjaftueshëm fruta e perime të freskëta në shtëpi, kohë për t’i pastruar, për t’i përgatitur, etj. Por përveç kësaj, koncepti i “Merre me vete” përfaqëson një risi për tregun shqiptar, pasi nuk kërkohet detyrimisht të ulesh në lokal, por gjithkush porosit edhe e merr me vete produktin në çfarëdolloj destinacinioni, që mund të jetë zyrë, shtëpi, liqen, park, palestër etj. Bioteka ofron lëngje të freskëta frutash, kombinime mjaft interesante shijesh, fruta dhe perime, të cilat janë shumë të shëndetshme kur konsumohen të gjalla (jo të gatuara). Tek ne mund të gjenden receta smoothie nga më të larmishmet e nga më shumëngjyrëshet.
Ka qenë e vështirë për ty të gjeje vende në Shqipëri ku frutat dhe perimet të ishin sa më BIO?
Ka qenë në fakt, por unë me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi ja kemi dalë të sigurojmë që një pjesë e produketve të dyqanit të jenë produkte bio, të çertifikuara.


Nje vend mjaft interesant me pije fantastike bio super te shijshme :).
Is vlen ta vizitosh….BIOTEKA!!!
Ja vlen. Shume te shijshme dhe shume te lira
Personi i intervistuar eshte nje njeri i keq, perse merren te tilla funderrina ne gazeta?
Ne fakt kjo vajza duket qe eshte rritur mire ne mes te ushqimit te bollshem bio, por tani sa mire qe e gjen, bravo
WOW sa interesante ! Sa mire qe edhe ne Tirane ,me ne fund po gjej dicka te tille. Kisha kohe qe po e kerkoja. Bravo per sipermarrjen.