Shengen nën shënjestër, Franca kërkon rishikimin e rregullores

redaktor

Kanë kaluar 20 vjet që nga hyrja në fuqi e traktatit të Shengenit. Dhe pas njëzet vjetësh, mund të pranohet dështimi i “revolucionit të madh” të lëvizjes së lirë midis 22 vendeve të BE-së plus Norvegjisë, Islandës, Lihtenshtajni dhe Zvicrës.

Pas masakrave të Parisit, në redaksinë e të përjavshmes satirike Charlie Hebdo dhe në supermarketin hebre “Porte de Vincennes”, Franca nxit një grup vendesh të ndryshojnë traktatin Shengen.

Qëllimi është që të bëhen të “detyrueshme” kontrollet sistematike dhe të koordinuara në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian, sepse, siç ka përsëritur tashmë prej janarit Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, forcimi i kufijve të jashtëm do të thotë të ruash lirinë në kufijtë e brendshëm.

Por në anën tjetër është edhe vendimi i Komisionit Europian, i cili dëshiron t’i intensifikojë këto kontrolle, “por duke shfrytëzuar të gjithë potencialin ekzistues pa shtuar rregulla, ose dispozita të reja” , siç ka përsëritur shpesh presidenti Jean Claude Juncker.

Frika më e madhe e KE-së është se ndërhyrja në rregulloren e Shengenit mund të prodhojë “efekte anësore”, me pasoja të paparashikueshme. Pas ndërhyrjes së Ministrave të Brendshëm çështja u trajtua shkurtin e kaluar, në samitin e liderëve të Unionit, por mundësia e “një modifikimi” u shty.

Nga janari deri tani, po bëhen të gjitha përpjekjet sipas rregullores së tanishme për të shtrënguar rregullat e kufijve të jashtëm të Shengenit.

Ndër mjetet në dispozicion është edhe Sistemi i Informacionit Shengen. Sistemi i lejon autoriteteve kombëtare të doganave, policisë dhe kontrollit kufitar të shkëmbejnë informacion për personat që mund të jenë të përfshirë në krime të rënda.

Ai përmban raporte për persona (sidomos fëmijët), si dhe të dhëna për mallrat dhe dokumentet e identitetit të vjedhura, apo të humbura. Deri më tani dokumentet e identitetit të qytetarëve të vendeve Shengen nuk krahasoheshin me bazën e të dhënave të policisë.

Vetëm 30% e pasaportave që tregohen nga udhëtarët që hyjnë, apo dalin nga zona Shengen, kontrollohen elektronikisht, pra vetëm ato që paraqesin një profil rreziku. Pikërisht ky profil rreziku është ai që duhet të shqyrtohet. Synimi është që kjo përqindje të arrijë 100%.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *