Rreshjet e ditëve të fundit, shkaktuan për fat të keq dhe tre viktima. Ishim mësuar me përmbytjet, sidomos në Kurbin e Shkodër, por jo me dëme dhe në jetë njerëzish. Sakaq, bilançet përfshijnë dhe disa ura të shembura, ku njëra prej tyre, ajo në një fshat të Laçit, bart dhe elementë mallkimi e legjende; që pasi u bë shkak të humbjen e jetës së një të riu, vijoji të ishte shkak dhe për mosnderimet ndaj të ndjerit, duke lënë gjysmën e ‘gjakut’ matanë përroit, në pamundësi për të kaluar. “Ah sikur të kishim ca qereste!”, është batuta e njohur e një filmi të Kinostudios, ku fshatarët qajnë urën që ua hodhi në erë gjermani dhe përpiqen t`i bëjnë derman vetes. Të gjitha çfarë ndodhin në përditshmërinë tonë, përfshirë përmbytjet, viktimat, urat e shembura apo të munguara, janë pasojë e mungesës së një “ure” që kurrë nuk u ndërtua dot në këto 20 vite: Asaj mes atyre që qeverisën e të qeverisurve; popullit pra. Kjo është “ura” kryesore që i ka munguar e i mungon ende këtij vendi; dhe përsa kohë nuk do ekzistojë, do vajtojmë buzë përroit, duke nëpërdhembur fjalët: “Ah sikur të kishim ca qereste!”. Por ndryshe nga fabula e filmit, ku fshatarët vetë i siguruan qerestetë dhe e ndërtuan urën, tek ne sot, mungon dhë ajo “ura” e mes vetë njerëzve, teksa çdokush bën atë që ia thotë mendja, pa pyetur as për njeri e as për qeveri.
