Kur pak ditë mbas kishte ndodhur tragjedia e Gërdecit, qeveria nisi të shpërndante para me tufa si formë dëmshpërblimi ndaj “viktimave” të gjalla të tragjedisë, me të drejtë u reagua nga disa segmente shoqërore e mediatike mbi padrejtësinë e atij akti qeveritar. Logjika ishte e thjeshtë: Gërdeci ishte një përgjegjësi krejt qeveritare e aspak një fatkeqësi natyrore; e për këtë arsye paratë e dëmshpërblimit nuk kishin përse të merreshin nga taksat e qytetarëve, që nënkuptonte se ato para duhej t`u mbaheshin përgjegjësve direkt të asaj tragjedie, me të parin kryeministrin, i cili njihet për talentin e të poseduarit të informacioneve nga më të imtësishmet për kundërshtarët, por që nuk kishte dijeni për çorbën antishtet e antiligj që gatuhej pak kilometra larg zyrës së tij, ose “pak metra” larg familjes së tij duhet thënë më mirë.
Kjo, për parantezë të lajmit se Strasburgu ka vendosur për 8 milion euro që qeveria duhet t`ua dëmshpërblejë disa familjeve që kanë fituar gjygjet për prona në gjykatën e njohur. Dhe e para gjë që të irriton, është se ato para do merren nga ‘fondi rezervë’ i qeverisë, që paçka emërtimit, para taksapaguesish janë, gjithsesi. Janë paratë e mij e të tuat bashkëqytetar, që nuk kemi shkelur asnjë ligj e kemi qenë korrekt me shtetin me të gjitha detyrimet. Për pronat, prej sa vitesh janë një ushtri nëpunësish (llogarit dhe kastat politike) të disa kategorive që paguhen; paguhen që të zbatohet ligji, që gjithçka të funksionojë drejt e mirë, që njerëzit as mos vriten e as shteti mos humb miliona. Por që ajo ushtri, ose një numër “ushtarësh” të asaj ushtrie, plus që nuk kanë e bërë punën diç duhet, kanë mbushur xhepat (mu për këtë arsye nuk e kanë bërë punën), duke na çuar tek kjo faturë e kripur.
Nëse ky shtet – pra kjo qeveri – do ketë vullnetin e mirë që të tregohet e drejtë dhe e aftë për ta zgjidhur siç duhet këtë mesele, duhet që këto para t`i nxjerrë prej tyre, t`jua mbajë ose t`jua marrë atyre dhjetra politikanëve, zyrtarëve e nëpunësve që janë marrë direkt me pronat në gjithë këto vite. Kjo nuk do ishte vetëm një arithmetikë e lehtë, por dhe e drejtë! Sepse 2 + 2 = 4, nuk është thjesht një përfundim arithmetik logjik, por dhe devizë drejtësie parë në rrafshin social; siç e kundërta që kur 2+2 = 5, të acaron e të bën reagosh fort ndaj gënjeshtrës e padrejtësisë që përçon si akt.

Shqetesim i drejte por pagesa ne Demshperblim paguhet nga Shteti; keshtu thote Ligji.
Pjesa II, ka dy nen-ndarje. 1) Drejtesia gjen pergjegjesit dhe vendos masa penale/civile ndaj tyre. 2) Familjet e te demtuarave kane te drejte te hapin Procese Civile ndaj a) Shtetit “sigurim teknik ne pune” b) privateve te korruptuar.
Te pakten keshtu eshte ne leter, ne realitet Politikanet e Zyrtaret Shqiptare jane te pa-ndeshkueshem.
Kete gjendje e kemi peshqesh nga komunistet qe ne 45-46`i moren pronat pronareve