Kur është fjala për njerëz të artit, ose ndryshe artistë, qënia e tyre shihet në një tjetër dritë. Ata zakonisht janë rrethuar nga aureola brishtësie, ndjeshmërie e delikatese, si askush tjetër. Jeta a tyre, fjalët që thonë, marrëdhëniet me njerëzit nuk janë të zakonshme dhe se ç`kanë diçka të çuditshme. Këtë lloj vizioni jotokësor, e yshtin dhe vetë ata, duke i atribuuar vetes cilësi prej ufosh, në të dukshmen ose të padukshmen e tyre. Por jo në pak raste, ata janë po aq njerëz në kuptimin më të rëndomtë të fjalës, që një dhunti e caktuar i ka bërë që të ushqehen me art, pra profesionin ta kenë në lëmën e artit, që jo në çdo rast të shndërron dhe në artist, ashtu siç njeriun artist mund ta hasësh dhe tek profesione pa fije arti brenda. Dy emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, Aleksandër Lalo e Bujar Qamili, dhanë një shfaqje të shëmtuar skenike para mijra e mijra shikuesve të spektaklit “Kënga ime”, duke këmbyer batuta rruge, që më pas janë bërë shkak dhe për përplasje mes tyre në paskuinta. Domethënë, kanë degraduar në deputetllëk! Eshtë trishtuese për një shoqëri e publik që, pasi i është rrëmbyer koha më e çmuar para ekranit me një luftë politike të pashoqe për nga harbutllëku, duke ia servirur atë nga mëngjesi në darkë, ndodh që dhe në ato pak raste kur i serviret një menu shplodhëse, argëtuese dhe edukuese, në pjatë rezulton të ketë produkte të prishura nga ato të politikës. Siç duket, shqiptari homo-artisticus është kapluar i gjithi nga sindromi i dualitetit antonimik kaderejan, sipas gjykimit të shumë njerëzve këtejpari: shkrimtar i madh, njeri i vogël! Ndërsa tek homo-politicus, gjendja është më e rëndë akoma, pasi aty kemi politikanë të vegjël e njerëz akoma më të vegjël!
Ja, kush mund të na thotë se për ç`aftësi të spikatura intelektuale apo profesionale në një lëmë të caktuar, njihen Strazimiri e Prenga?! Se të paktën, Aleksandër Lalo e Bujar Qamili dihet që janë adaptë, njëri në kompozicion e tjetri në interpretim. /E.H
