Bëj terror, që të të quaj terrorist!

anazapta

Sa më shumë zbardhen detaje të rekrutimit për luftë në Siri nga ana e një grupi besimtarësh të përbërë nga dy imamë – që siç thonë shumë teologë myslimanë – kanë qenë krejt në kundërshtim me parimet islame (si shembull jepet fakti se pa “ok” e nënës, nuk mund të shkosh në asnjë lloj lufte, ndërkohë që pothuaj të gjithë kanë ikur pa u thënë gjë prindërve), – po zbardhen njëherësh dhe ca akte alogjike të hetimit mbi njëvjeçar të tyre. Çdo hetim që kryhet ndaj një grupi kriminal, bart dhe riskun e përpjekjes për të evituar ndonjë krim nga ana e atyre që hetohen, pa u diktuar. Se qëllimi final ai është: shpëtimi i jetëve njerëzore.

Nëse është në hetim ndonjë vrasës, nuk ka asnjë sens që ai të lejohet ndërkohë të vrasë që më pas të ketë prova të pakundërshtueshme ndaj tij si vrasës! Por në rastin e të arrestuarve për rekrutim për t`i çuar në vatrat e luftës në Siri, siç thuhet  për akte terroriste, duket se është vepruar sipas kësaj skeme, të kompromentuar nga ana njerëzore. Nëse është parë se individë të ndryshëm po shkonin drejt Sirisë, gjë e cila është dokumentuar si provë e pakundërshtueshme, ato sigurisht që ose për të vrarë, ose për t`u vrarë shkonin aty, sipas akuzës së ngritur që i implikon si terroristë! Nga ana tjetër, nëse gjatë hetimeve është parë që ata po merrnin dhe fëmijë me vete, si është e mundur ta kenë lejuar këtë lloj makabriteti prindëror?! 

Veç habisë e tronditjes që ka provokuar në opinion fushata e dy imamëve e bashkëpunëtorëve të tyre për të çuar si mish për top, ca sivëllezër të tyre në besim në ferrin e luftës në Siri, janë dhe këto çudi të tjera nga ana organeve, të cilët në një anë pretendojnë se kanë hetuar aktivitetin e tyre dhe pothuaj rrugëtimet e detajuara të “mishrave” deri në front (merret i mirëqenë fakti se janë rreshtuar krah grupimeve terroriste), e në anën tjetër nuk kanë shfaqur asnjë ndjejnë humane që t`i parandalojnë, si për të shpëtuar jetën e tyre si të të tjerëve që do ishin viktima prej akteve të tyre, duke u mjaftuar vetëm me zbulimin e inspiruesve e organizatorëve, që tashmë ndodhen pas hekurave.   Të ngjan sikur kjo medalje po ka dy anë.   Sepse, duket sikur është vepruar me parimin: Bëj terror, që të të quaj terrorist! Ose: Vrit, vritu, që të të quajë vrasës!  / E.H.

Share This Article
1 Comment
  • Sa më shumë zbardhen detaje të rekrutimit për luftë në Siri nga ana e një grupi besimtarësh të përbërë nga dy imamë – që siç thonë shumë teologë myslimanë – kanë qenë krejt në kundërshtim me parimet islame (si shembull jepet fakti se pa “ok” e nënës, nuk mund të shkosh në asnjë lloj lufte, ndërkohë që pothuaj të gjithë kanë ikur pa u thënë gjë prindërve) [artikulli]

    L.O.L. @ E.H. kjo do ngelet thenje historike. Ne asnje media se kam lexuar kete argument “merri leje Mamit” Dhe John Stewart te Daily Show, s’do i shkonte mendja per kete :):)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *