Shumëkujt mund t`i shkojë mendja tek elektorati i PS-së dhe ai LSI-së, por fjala është për elektoratin e pragmatistëve dhe atë të idealistëve, nëse i thjeshtëzojmë termat në funksion të një shpjegimi të qartë së për çfarë është fjala. Asnjëherë nuk është bërë një analizë për përballjen e këtyre dy “elektorateve” brenda atij të përgjithshmit, që me votë plebishitare, më 23 qershor, solli në pushtet aleancën PS-LSI. Ata janë cilësuar si një popull që i erdhi në majë të hundës prej keqqeverisjes së Berishës, duke e marrë këtë të fundit me shpulla atë fundqershori historik, në këto 23 vjet pluralizëm. Por a është vërtetë kështu?!
Mjaft të shihet se ç`po ndodh me emërimet, sidomos në bazë, ku pa e tepruar, lukuni militantësh, më së shumti injorantë e të paskrupuj, janë vërsulur për t`u punësuar, kudo e me çdo çmim, pa asnjë lloj vetëpërmbajtje, duke patur si “provë” aftësie ndonjë akt militant, post në parti (degët e partive në bazë, janë katandisur na ca strofulla hesapbërësish të rëndomtë me vota e vende pune), a një apo më shumë vota të futura në kuti votimi. Së fundi, mësova për në një debat të zhvilluar në një Zyrë Arsimi, ku një kryetar lokal partie fituese më 23 qershor, i hakërrehej kreut të sapozgjedhur të Arsimit, për hir të së vërtetës profesionist, i drejtë dhe i dinjitetshëm, për të futur në punë ata emra që donte ai, pavarësisht faktit se për ata emra, krejt pa kualifikim, do hiqeshin arsimtarë me merita e profesionistë, edhe pse të njohur si të majtë, por ama jo militantë e votues për të “blerë” një vend pune.
Ky pra është elektorati tjetër, ai që ka votuar vërtet për një “Rilindje”, njerëz të aftë e me skrupuj, që kanë besuar se mund të vijë dita për të jetuar një rend me drejtësi, ku ligji mos bëhet nga të ‘fortët’ e ‘trushkulurit’ e paturp. Dhe kjo është “beteja” që po zhvillohet në bazë, e cila ka provokuar jo pak zhgënjim ndër njerëz. Nuk ka ndonjë të dhënë se në ç`masë votash përfaqësohen këto dy grupime në antagonizëm me njëri-tjetrin, por nëse në filozofinë e mbajtjes së pushtetit nga ana e aleancës PS-LSI është “vota me punësim” e jo vota nga mirëqeverisja, duke injoruar kështu grupimin e shëndetshëm, atë që ka dhënë votën pa interesin meskin të një vendi pune, ahere veç dështimit, rezultat tjetër mos pritet. Se më pas kësaj i thonë të qëndrosh në pushtet, por jo të qeverisësh! Tek e fundit këtë bëri dhe Berisha: ndejti në pushtet, por nuk arriti të qeverisë! Deri sa i erdhi fundi…krejt me turp!

I lutem redaksisë që këtë artikull, sipas kërkesës së një qytetari të thjeshtë të ja u dërgojë për analizë këshillave drejtues të Partisë Socialiste dhe të partisë LSI. Në se nuk ndëshkohen drejtuesit e degëve të Partive në bazë për këto veprime atëhere nuk heq krimbin që ka hyrë dhe po gryen fitoren e madhe plebishitare.
MILITANTJA-MESUESE-LEKSIONE PER EKONOMINE NE KORÇ
Shkrimi eshte shume me vend.Pa tjeter qe injoranca e militanteve te ish PD duhet te lere vendin por kjo nuk duhet te thote te zevendesohen me idjote te se majtes se qepes e aqe me teper do perbente krim heqja e nepunesve te afte vetem se i perkasin elektoratit apo simpatizanteve te PD.
Thuhet qe ne Korçe drejtoreshe e sigurimeve shoqerore eshte vene nje mesuese nuk u gjet nje ekonomiste kur kemi me miera te rinj qe jane te pa pune me mastera ne ekonomi te vendosej aty? LIS-Levizja Integrim Skrapar