Një turist çek humbi jetën dje në shkrepat e malësisë së Dukagjinit, duke çuar të mendosh se kjo e jona është ndoshta një tokë e mallkuar par ta. Po kalojnë dy dekada kur tre të rinj çekë humbën në ato vise dhe për ta nuk ka ende as nam e as nishan. Sakaq, në gjithë këto vite nuk kanë qenë të pakta lajmet me turistë çekë që hasin në belara të ndryshme duke u ecejakur maleve e pyjeve të Shqipërisë së veriut.
Të tilla fatesh të trishta çekët kanë patur dhe në drejtime të tjera. Një kompani çeke si Çez vjen e falimenton pikërisht në Shqipëri. Ndërsa një politikan e diplomat i niveleve të larta si Stefan Fyle, merr inat veten sa herë detyrohet të bëjë arbitrin në politikën shqiptare. Por ka dhe më. Te vetmin shpjegim që ka dhënë deri më sot Berisha lidhur me motivet se përse u bë komunist, është ai mbi pushtimin rus të Pragës.
Ndërsa pak kohë më parë, ambasadorja çeke në Shqipëri do ndihej keq kur një kryebashkiak në jug do i thoshte se njihte shkrimtarin e tyre të madh, Shvejk!!! Sigurisht, jo gjithçka çeke e lidhur me Shqipërinë përcjell trishtim, ndonëse kjo fjalë është prezente në një monument artistik të raporteve shqiptaro – çeke: filmin ‘Trishtimi i zonjës Shnajder’!
E.H.
