Shënim: “Ditë e bukur për… piknik”

entela

Në Shqipëri, për shkak të dinamikës së aktualitetit, ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, nuk ka ndodhur kurrë që gazetat të hapen me lajme të tilla si: “Bie borë në Tiranë” apo “Erdhi pranvera, rriten temperaturat”.

Po ashtu nuk ka ndodhur që opozita e këtij vendi të ndërmarr një protestë, ku kauzat në të cilat kapet janë: trafiku i drogës, korrupsioni, përfshirja e zyrtarëve të inkriminuar në qeveri dhe pas  saj  gjithçka të duket sikur Tirana përjetoi një piknik të zhurmshëm, por vetëm kaq.

Kjo gjë po ndodh vetëm në “kohën e Lul Bashës”.

Ndoshta do të mbahet mend gjatë që, edhe pse ka plotë njerëz të pakënaqur me qeverinë, sërish nuk i bashkohen opozitës.

Luli dhe as njerëzit që i ka nga pas nuk zgjojnë besim te qytetarët.

Një ditë më parë, teksa Basha ishte duke shpërndarë disa ftesa për protestë në disa lagje të Tiranës, një i ri e përshëndeti dhe i tha një fjali të sinqertë: “ju duhet të ikni të gjithë, ti i pari”.

Ai nuk e kishte vetëm me kreun e opozitës këtë “revoltë”, por me të gjithë këtë kast politikanësh që mesa duket e kanë lodhur këtë popull.

Kjo ndoshta ishte shenja më domethënëse ku Luli duhet të kuptonte se protesta e tij do të dështonte.

Kreu i opozitës duhet t’ia kishte vënë veshin atij djali, i cili i la të kuptojë se më mirë preferonte të pinte një kafe këtë të shtunë paradite se sa t’i bashkohej thirrjeve të Bashës, të cilat nuk dihet se ku të çojnë.

Ndoshta këtë të diel, një pjesë e mirë e gazetave do të hapen me lajmin “Piknik në Tiranë, punonjësit e bashkisë deri vonë në punë për të pastruar kryeqytetin”.

Këtë dhuratë mediat në print do e kenë nga Luli, i cili nuk ka bërë asgjë më shumë se sa të ngrinte një furtunë në… gotë uji. E.R /Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *