Morria e lajmeve nga një ditë shqiptare, ka mes tyre dhe të atilla që përbëjnë humor-krizë. Ato vijnë nga çdo anë, pa përjashtim. Dhe dje, mund të veçohen dy asish: një fjalim i Gerdi Bogdanit në parlament, që kish në qendër shqetësimin (e çdo shqiptari, thoshte sa herë), për faktin se qeveria nuk po bënte sa duhej për të dënuar vrasësit e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli(!!!), si dhe një lajm mbi lirimin nga Gjykata e Fierit e një të burgosuri që do martohet të dielën, pasi është dënuar me 10 ditë burg për….(mbamëni se po bie!), është kapur duke udhëtuar me motor pa kaskë në kokë. Quhet Rudjan Driza. Kështu pra, pasi drejtësia ka ngritur perandorinë e padrejtësisë në këtë vend, ka vendosur që të ndërtojë dhe një kasolle me kashtë të ndëshkimit në emër të ligjit, të atij, që shprehur ndryshe me gjuhë cinike, ka dalë në publik me zinxhirin e pantallonave zbërthyer, mes cullakërisë kolektive të paturpit! Ku të vinte ajo ditë që vërtet të kishim një sistem drejtësie të tillë, e denjë për vendet nordike që veç të tjerash, mund të futen në Gines dhe për tepri në përpikmërinë e zbatimit të ligjit; por nëse do vinte ajo ditë, nuk teprohet të thuhet se më shumë se gjysma e Shqipërisë do futej në burg. Ndërsa gjysma tjetër, do punësohej si gardianë! / E.H.

Per te qeshur dhe per te qare.