SHËNIM: “Duam paret tona!”

redaktor

Ndërrimi i sistemeve pa gjakderdhje, është rrekur të konsiderohet si medalja e demokracisë shqiptare. Edhe pse e çalë e absurde në shumë drejtime, është thënë për të se të paktën nuk gjeneroi në dhunë e viktima, ngjashëm siç në ish disa vende të bllokut komunist. Klasa e të përndjekurve, e atyre që më shumë se kushdo e hoqën në kurriz barbarinë e regjimit komunist, ka shkuar deri në denoncime gojore të këtij apo atij ‘xhelati’, por nuk ka ndodhur që për një lloj hakmarrjeje krejt të natyrshme ndonëse të papranueshme nga pikëpamja etike (meqë ja, erdhi demokracia)  ndonjërin prej tyre ta linçojnë publikisht. Mungojnë në kaq vjet raste kur ndonjë ish i burgosur zë me shqelma ndonjë ish-hetues apo ish-sekretar partie në mes të rrugës.

Sot, në radhët e të përndjekurve, të mllefosur nga nëpërkëmbja (financiare), po shtohen ethet e vetëflijimit, ngacmuar dhe nga akti i të ndjerit Bejko, por rrethanat në të cilat ka gjeneruar drama e tyre post-komuniste (gjithnjë duke iu referuar asaj për të cilën ata qahen më së tepërmi: dëmshpërblimit financiar), nuk ka asnjë premisë për vetëflijime. Vetëvrasjet ndodhin një rrethana pa shtegdalje, si dhe kur viktima llogaritë i ka patur vetëm me veten e askund tjetër, e që më pas me atë i ka mbyllur. Në rastin konkret, të përndjekurit e ish-regjimit, akuzojnë dikë, e adresojnë diku përgjegjësinë. Po ku?! Tek klasa politike!- thonë, duke e përgjithësuar e duke mos e konkretizuar me emër e mbiemër. Qartë! Por nëse është kështu, nuk kanë pse shishen e benzinës t`ia drejtojnë vetes. Më s`pari ata duhet t`i vënë një emër fajtorit, shkaktarit të gjendjes së tyre. Sepse nuk ka kuptim që nëse përballë ke një “armik”, për shkak të djallëzisë së tij, plumbin nuk ja drejton atij por vetes!

Dhe më kryesorja që nuk është kuptuar as nga kjo shtresë e as nga shumë shtresa të tjera të shoqërisë: ky sistem, nuk të thotë mbylli sytë dhe hape gojën, për të të dhënë gratis gjithçka kërkon; por të jep garanci se po mbajte sytë e mendjen hapur, mundesh të gjesh punën dhe vetëveten. Të përndjekurit duhej të ishin dëmshpërblyer dhe duhet të dëmshpërblehen, por kjo vetëm për një punë që e kanë bërë dhe për të cilën nuk janë paguar. Sa për vuajtjet, të cilat nuk kanë njësi matëse, shpërblimet i sjell sistemi në forma nga më të larmishmet, pikërisht nga fakti se bazohet në lirinë e vlerat e saj. Liri-Demokraci, klithnin dhe ata në kapërcyell të 90-ës dhe jo “Duam paret tona!”

Share This Article
2 Comments
  • Me duket nje shkrim qe ka brenda aresye bindese se cfare i mungon ne te vertete protestes se te ish perndjekurve.

  • Pse nuk protestuat per 20 vjet qe ishte qelbesira ne qeveri por u kujtuat tani mor hale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *