SHËNIM: “E gjetëm Vangjel!”

redaktor

Edhe sikur mos ish publikuar kjo videoja e QSUT-së, të mos njihej pra si rast, kjo nuk do lëvizte asgjë nga, në daç përshtypja e në daç bindja, se shërbimi ynë shëndetësor e ai spitalor në veçanti, janë në nivele barbarie; kjo, derisa në këtë nivel është e tërë shoqëria jonë, e spitalet si tonat, nuk kanë pse bëjnë përjashtim. Sakaq, as qeveria nuk është se ka shfaqur ndonjë gjoksrrahje me teprim në këtë drejtim, të cilat, për hir të së vërtetës, i ka përqëndruar gjetiu. E teprimet në këtë rast, po shfaqen në kahjen e denoncuesve të fenomenit, sidozot në zëra mediatikë, që nuk është e thënë t`ia qëllojnë gjithnjë, siç nuk ia qëllon dot as qeveria kur realiteti e mbërthen me shpulla iluzivitetin që ajo prodhon, për gjëra që mendon se po shkojnë drejt mbrothësisë. E tillë ishte një tip specialeje e një TV informativ, me kumt denoncues, ku qëmtohej në ca deklarata të Ramës e Beqajt në paraqitjen e programit të shëndetësinë, pa ardhur ende ne pushtet. Punimi gazetaresk në kërë rast, mëtonte se deklarimet e tyre nuk ishin veçse kode që fshihnin pikërisht atë që paska ndodhur në urgjencën e QSUT-së së fundi: ngacmimin seksual të ca birbove, meshkuj lapërdharë pa din e iman, kundrejt një adoleshenteje të rënë në “gjumë”. Më konkretisht, deklaratat se shëndetësia duhej parë si ndërmarrje ekonomike, kanë çuar në eliminimin e ‘njeriut’ si pikësynim kryesor i saj. Po mirë, fakti që sistemi ku jetojmë quhet ndryshe dhe si ekonomi tregu, mos do të thotë se eliminon ‘njeriun’ si pikësynim final, jetën, mirëqenien, sigurinë e dinjitetin e tij?!“E gjetëm Vangjel!” – i thonë kësaj pune./E.H

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *