“Isha i dehur!” – ka qenë ky lloji i albisë së avokatit Bashkim Hoxha, të ndaluar nga policia me akuzën se ka kërcënuar kryeministrin Rama me sms.
Edhe po mos e kish thënë një gjë të tillë, si “mbrojtje” ndaj atyre mesazheve që i ka dhënë ‘send’ në adresë të numrit të Ramës, pyetja e parë që do i kish bërë çdo hetues, kjo do ishte: “Mos ke qenë gjë i dehur?!” Por pyetja më me thelb do ishte: “Je vërtet avokat apo hiqesh?!”
Të posedosh sot një apo dy numrat e shefit të qeverisë, nuk është ndonjë gjë e pazakontë. Kuriozitet do përbënte vetëm fakti se sa është numri i mesazheve të gatuara me halle që përfundojnë aty në 24 orë. Përligjen deri diku dhe ato mesazhe që mund ta bartin fraza acaruese, ose ato pa etikën e duhur, gjithnjë varësisht personit që i ka dërguar; por të jesh, avokat, njëherësh i dehur, e që në gjendje me gjysmën e trurit në funksion të zgjedhësh vetë kryeministrin për “shok tavoline”, shumë pak sens ka në këtë mes, edhe pse është fjala për njerëz të dehur. Por pikërisht këtu qëndron kleçka, që, vërtet të ketë qenë i dehur, por kurrsesi avokat.
P.S. Në çdo kohë, ka përbërë krenari për dikë, fakti se ndër të parët e tij të gjakut, ka patur dhe avokatë. Ishte kjo një shenjë e xhinsit fisnor me të dhëna shkollimi dhe emancipimi. Por nuk janë më ato kohëra. Sot, nuk po kemi avokatë që çoç rrëkëllejnë ndonjë gotë, por të dehur tapë që nuk e kanë për gjë të pohojnë që, si profesion kanë avokatinë!/Ermir Hoxha
