Europianë pa pakt?! Nuk ka kuptim!

anazapta

Sado që ligjërimi ynë është mbushur dingas me fraza të karamelta mbi “Europën që e meritojmë”, se “jemi Europë, por…”, se “Integrimi është prioritet”, në realitet ne ende kemi një distancë goxha të largët me një mendësi, që ka arritur aty ku është, vetëm nga një forcë e virtyt njëherësh: të bëj pakt në një moment të caktuar; të ulë armët e të shtrëngojë duart për një qëllim të madh: paqen, zhvillimin, prosperitetin. Europa është ajo që është pra, sepse mbas dy kasaphanave siç qenë dy Luftrat Botërore, popujt e saj, udhëheqësit e tyre, larguan në një moment inatet dhe urrejtjet e ndërsjellta dhe nënshkruan pakte, që në pak vite, do bënin të mundur që mbi gërmadhat e luftës, të ringrihej Europa që shohim sot.

Politika jonë ende nuk e njeh gjuhën e paktit, paktit që ka efekt të drejpëdrejtë tek shpirtërat e njerëzve, përditshmërinë e tyre, paqen, punën dhe zhvillimin. Me ç`po shihet, as rezultati i 23 qershorit, sado plebishitar që ishte, nuk duket se do zgjidhë diçka nga ai ngërç  ku vijon të jetë politika, e rrjedhimisht e gjithë shoqëria. Edhe pse nuk kemi dalë nga ndonjë gjendjeje lufte, pasojat në realitet, ankthi, problemet akute janë të ngjashme  me ato që lë një luftë, ku më pas, nga mbërritja në ekstrem, palët detyrohen të ulen për pakte, që marrin përmasa historike.

Pas rezultatit të 23 qershorit, Rama bëri një deklaratë e cila u vlerësua si e rrallë në llojin e vet, kur zgjodhi fjalë deri-diku ledhatuese për kundërshtarin, për të shuar një tension të panevojshëm më, që vijonte me vite. Por fill pas kësaj, nuk e përballoi dot valën euforike të fitores dhe lëshoi frazën e “1 milion votvea”, ose 1 “milion shpullave” , që në thelb nuk zgjidhin asgjë më tepër se 84 deputetë në parlament e po aq vota njëherësh, sesa vetëm krijojnë acarime në debatin politik.

Rama ka përpara një sfidë më të madhe se reformat dhe qeverisja në përgjithësi: të gjejë mënyrat për të shkuar drejt një pakti. Më shumë se një pakt, asgjë nuk të çon drejt Europës; një Europë që është e tillë, në sajë të pakteve! Historia jonë është tragjike, jo për shkak të pushtuesve të shumtë që na kanë mbajtur nën zgjedhë, por nga mungesa e pakteve mes vetë shqiptarëve në momente delikate. Pakti i prishur si ai Mukjes, solli komunizmin. Mungesa e një pakti në këto kohë, po na lë ende në gjendje hibride mes komunizmit, tentativave minore për demokraci e një çoroditjeje totale, ku nuk dallohet ku fillon njëra e ku mbaron tjetra!

 

 

 

Share This Article
6 Comments
  • Paktet bëhen kur palët kanë ç’të humbin e ç’të fitojnë (të dyja)… Grupimi që e quan veten Partia Demokratike nuk ka asgjë për të humbur, ndaj dhe paktet me të nuk e di se sa kuptim ka, që të kërkohen. PD nuk karakterizohet nga sedra, morali apo përgjegjshmëria qytetare; të kishim kaq fat nuk do ishim këtu ku jemi…
    p.s. e vetmja gjë që banda kërkon, është pushteti, dhe në mungesë të tij – paprekshmëria.

    • 5*

      i ke per respekt!

      Sa lexova fjalen Pakt thashe te futem ne artikull. Asnje presje s’te shtohet, ne ato qe ke thene. Tani ke nje fan, ne kete forum 🙂

      • Respekti është reciprok, i nderuar!
        Jo për kortezi, por e them me bindje që je ndër komentuesit më të arsyeshëm e të kultivuar, që shoh në blogjet e medias shqiptare, me aq sa kam lexuar. 🙂

  • unioni doli nje falimentim total per te gjithe vendet anetare te saj. krizat e ndryshme, korupsioni, borxhet pa fund te vendeve anetare kane shkateruar anen ekonomike, politike, dhe morale te ketyre vendeve.duam vertet te shkojme ne BE?

  • Europa ka vetem nje PAKT: Kush punon pa u lodhur dhe me korrektesi e ka vendin ne BE dhe kush perdor njemije intriga per pushtet dhe perfitime personale e ka vendin ne kafaz.
    DEMOKRACIA nuk eshte LIBERTA, por LIGJ dhe disipline.

  • Bota ka shkuar perpara ne saje te marrveshjeve dhe jo ne saje te perplasjeve,kjo eshte sfida jone si popull,qe na vjen nga historia dhe fatkeqsisht po e shohim dhe ne realitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *