Është rastësi që në përvjetorin e katërt të ekzekutimit ende pa autorë të gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi, vjen e përputhet edhe momenti kur anëtari i KLD-së dhe gjyqtari i Apelit të Tiranës Gjin Gjoni, kërkon nga Gjykata e Apelit Durrës fshirjen zyrtare të faktit të shumëpërfolur prej mbi një viti: Pasuri e pajustifikuar. Nuk është fjala për përfolje rrugësh, por për akuzë të drejtpërdrejtë të Inspektoriatit të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive, për një shumë të pajustifikuar prej 1.8 milionë eurosh.
Shtatori (dhe vjeshta vijuese) është shpallur si sezoni i kryerjes së një reforme rrënjësore në sistemin e drejtësisë shqiptare nga ana e legjislativit dhe qeverisë. Këto dy episode të veçanta dhe pa lidhje direkte me njëra tjetrën, siç janë rasti tragjik Konomi dhe ai tragjikomik Gjoni, në të vërtetë mund të përmblidhen si dy anë medaljeje të trishtimit në të cilin është zhytur krejt sistemi, e për rrjedhojë vetë shoqëria në të cilën jetojmë.
Skerdilajd Konomi nuk na vjen sot, për hir të së vërtetës, si një hero i drejtësisë. Një gjyqtar çështjesh civile në Vlorë, atij i ra fati (që u shndërrua në fatkeqësi) të trashëgonte disa pasuri familjare, sipërfaqe toke në Hamallaj të Durrësit, çështjen e të cilave aq më tepër si ekspert i fushës, e ndoqi deri në Gjykatën e Lartë. Për sqarim, kjo mbetet pista e vetme e mundshme sipas organit të akuzës, për ekzekutimin e tij makabër. Dhe duket se interesat ishin aq të forta saqë ai u eliminua. Por nga kjo ngjarje e tutje, publiku kishte një tjetër pikëpyetje: A do të arrijë drejtësia (polici, prokurori, gjykatë) që qoftë dhe si sfidë që i bëhej radhëve të saj, ta zbardhë këtë vrasje?
Përgjigja për këtë pyetje, deri tani të paktën, është e qartë. Konomi u gjend në anën e gabuar të interesave dhe, qoftë dhe gjyqtar, nuk arriti të gëzojë pronat e familjes. Njeriu i thjeshtë nuk e ka të vështirë të nxjerrë përfundimin: Kur kjo drejtësi nuk arrin (ose nuk do, ose nuk mundet) të zbardhë vrasjen e njërit prej punonjësve të saj, ç’mund të presim ne të tjerët?
Të paktën sipas akuzës, Gjin Gjoni ato 1.8 milionë euro nuk i kishte të vetat. As trashëgimi. I ka përfituar në mënyrë të paligjshme, thotë akuza, dhe duhet ta provojë në gjykatë të kundërtën. Por Gjin Gjoni luajti çdo gur që të mos pezullohet e gjykohet. Seç të kujton kjo manovër, diçka me “shpëtim me procedurë”. Dhe milionat e çështjes së “procedurës” së Lulzim Bashës, ishin vërtet euro, por kishin dhe dy Zero nga pas.
Tani ky gjykatës thellësisht politik, (kjo nuk është akuzë, por konstatim. Mjaft të lexosh transkriptet e mbledhjeve të KLD-së) jo vetëm që i gëzon e shton ato para, por edhe merr aktin final të purifikimit nga mëkati, indulgjencën e fundit. “Fakti nuk ekziston”. Në këtë mënyrë, atë fjali që Gjin Gjoni mund ta ketë thënë edhe për romuz mes kolegësh në KLD, (ruaju shakave të gjykatësit), se ku ta dish, mund të bëhet edhe president… ndoshta duhet të fillojmë ta marrim pak më seriozisht.
Drejtësia nuk paska ndërmend as të zbardhë vrasjen e një gjyqtari që “e teproi me këmbënguljen e vet” për të kërkuar pasurinë legjitime e kushedi se ç’kallo të regjura shkeli, dhe as të zbardhë pasurinë e dyshuar si të zezë, një gjyqtari tjetër. Ky, me pak fjalë është përfundimi ku arrijnë shqiptarët sot, mbi një sistem ku vallëzojnë dreqërit.

Une nuk e denoj dot Gjin Gjonin.E urrej si malok qe ka kapur shtetin,por nuk e denoj dot.Kemi votuar nje qeveri,qe duhet ta denoj Gjin Gjonin.I takon kryeministrit te shqetesohet kur tallet Gjin gjoni.Mua Gjin gjoni dhe Mark-uk me duken njelloj.
ke plotesisht te drejte Lato. Ne populli mund te gjykojme e komentojme por as Martin dot vendime e as denime per gjyqtare te mire a te korruptuar. Gjin Gjoni eshte gjyqtar I akuzuar nga institucionet. Shteti te veproje dhe te mos beje sikur Po lufton korrupsionin dhe me re ken e lire lene te lire gjyqtaret miliardere dhe arresojne gjyqtaret e qindarkave !