Po! PD-ja ka plotësisht të drejtë: letra falenderuese e kryeministrit Rama adresuar qytetarëve që këto ditë po nxitojnë të paguajnë energjinë, vjen vërtet nga ferri. Duhej të shprehej që letra po shkon drejt ferrit, por një lloj opozitarizmi gërnjar që e karakterizon, e çon drejt gafave të tilla. Por para se të jetë tek qytetari, ferri i energjisë elektrike është tek shteti; tek shteti që rrezikon të falimentojë pikërisht nga gropa financiare e sistemit energjitik. Nuk ka shtet rreth e rrotull, që të ndodhet në një ferr të tillë prej një energjie të vjedhur kaçakçe e të keqmenaxhuar, si të ishte në dorë të një kategorie sociale – që, për të mos rënë padashje në racizëm – e bëjnë lekun rrush e kumbulla me raki (aq pak sa ju bie në dorë), e ju shkon jeta duke i rënë gërnetës… së paaftësisë për të ndërtuar një ekzistencë normale dhe me logjikë ekonomike. Në këtë pikëpamje, vërtet që Ramës i ka rënë të jetë “rojtar ferri”, por krijuesi i këtij lloj ferri nuk është ai. “Ferrin nuk e solla unë; atë e gjeta mes tuaj!”- i takon të thotë, veçanërisht drejtuar opozitës, krijuesit në pozita qeverisëse deri dje, të këtij ferri./E.H