Një koment i shkurtër i Blendi Fevziut, ka risjellë në vëmendje një thënie të dramaturgut të madh Xhorxh Bernard Show-ut, cituar nga kreu i qeverisë Rama, i cili ua adresoi kundërshtarëve politikë në parlament në mbyllje të një fjalimi: “Jo të gjithë të djathtët janë budallenj, por shumica e budallenjve janë djathtas!”.
Dhe Fevziu rrëzon këtë teori në kushte shqiptare, por duke iu qasur problemit nga një tjetër kënd, kur thotë se të djathtët shqiptarë janë marrë me idetë, ndërsa të majtët me emra, por ilustrimi që ka përdorur nuk ngjit asgjëkundi, duke sjellë si argument faktin se tek të djathtët, akuzat pas përçarjeve e ndasive nuk kanë patur si element korrupsionin, por çështje parimore, ndryshe nga sa ka ndodhur mes të majtëve. Por kjo nuk ka lidhje me dualitetin emra-ide. Pothuajse të gjithë krerët e politikës shqiptare janë marrë posaçërisht me emra, por janë dalluar nga konteksti i përdorimit të tyre si dhe nga etika në përdorim. Dallon në këtë pikë vetëm Spartak Ngjela, që më tepër se emrat, ka patur si prirje shpalosjen e ideve.
Rama, në citimin e Bernard Show-ut, nuk ka marrë në konsideratë kushtet, rrethanat dhe kontekstin e caktuar të thënies së dramaturgut të madh. Ndërsa Fevziu, në kritikën e tij, diku dhe me të drejtë, nuk merr në konsideratë llojin e së djathtës dhe të së majtës shqiptare, që janë atipike, sidomos e djathta, që as në origjinë nuk ka pikë përputhshmërie me të djathtën klasike (me një lider 25 vjet komunist, e që gjithashtu, me një prejardhje sociale tipike të majtë), e aq më pak në aksionin politik e qeverisës sa ishte në pushtet, duke mos ndërmarrë asnjë lloj reforme që do e klasifikonin si të djathtë.
Sërish për dualitetin emër-ide, ku Fevziu nxjerr më të avantazhuar moralisht të djathtët tanë, i duhet kujtuar thënia e B.Blushit gjatë diskutimit të tij në parlament, kur votëbesohej qeveria e ai iu drejtua deputetëve të djathtë: Ndryshimi mes nesh e jush është se ju jeni mbledhur rreth një emri, ndërsa ne rreth një ideje! Në këtë pikë, Blushi është ku e ku më lartë se Fevziu. / E.H.