SHËNIM: Gjithçka e sqaron statusi i Berishës

redaktor

Një ngjarje e habitshme dhe e menjëhershme, pa ndonjë indicie të mëparshme ndodhi dje në portin e Vlorës: Fluksi i pasagjerëve në autobuza që ishin bërë bashkë për t’u nisur drejt Milanos, pastaj Gjermanisë për të marrë azil, nuk dëshmon gjë tjetër përpos një fjale, një thashetheme të përhapur me shpejtësi dhe brenda një kohe të shkurtër. Më pas, gjërat u sqaruan disi, policia mori masa, agjencitë e udhëtimit në Fier po hetohen, ndërkohë që edhe ambasada gjermane reagoi publikisht për të sqaruar këdo, se nuk ka azil politik për qytetarët nga Shqipëria. Ky sqarim ishte i tepërt, për këdo që ka ndjekur të paktën “lajmet në televizor” dhe ka parë se emigrantët ekonomikë të maskuar si politikë për të përfituar qëndrim në vendet e BE-së, kthehen mbrapsht. Madje, penalizojnë gjithë vendin.

Pra, gjithë historia është se me ç’mekanizëm u përhap fjala-rrufe nëpër fshatrat e Vlorës, Fierit etj, se në Gjermani paskësh “plasur azili politik”. Fakti është që njerëzit përgjithësisht më pak të informuar dhe më të zënë me punët e bujqësisë, bien më kollaj pre e dizinformimeve dhe psikologjisë së panikut të turmës. Mero Baze teorinë e tij të konspiracionit e futi tek “Antenna”, pa dashur të merrej seriozisht me këtë episod, dhe ja vesh incidentin inteligjencës së Arben Ristanit, sekretarit të ri gjeneral të PD-së. Nuk është ndonjë çudi e madhe të ketë gisht juristi-deputet që është “edhe i pushkës, edhe i penës”. Por nëse deri në darkë shumëkush mund të kishte dyshime, këtë e sqaroi vetë shefi demokrat Sali Berisha. Po si? Thjesht, përmes një statusi shumë të shqetësuar në facebook. Shkurtimisht, ja lëmë fjalën Doktorit:

“Edi Rama është ndjellës dhe shkaktar i fatkeqësive kombëtare. Njeriu që bërtet, jo nga spitali psiqiatrik por nga zyra e kryeministrit dhe parlamenti i krimit, në akcese skizoide; burg, burg, hekura, hekura, shkatërrim, rrafshim dhe që ka krijuar ne burgjet dhe paraburgimet e Shqipërisë një situatë më çnjerëzore se në burgjet e Sirisë apo Irakut, riktheu eksodet e vitit 1991. Sot qindra e qindra qytetarë në Vlorë dhe në Durrës u vërsulen drejt porteve me fëmijë e katandi për t’u larguar nga vendi. Duke denuar politiken e papërgjegjshme (etj etj,) ju bëj thirrje qytetarëve të mos mashtrohen nga lajmet qe përhapin vetë qeveritarët për t’i përzënë nga vendi. Asnjë vend europian në mënyrë absolute nuk pranon eksodin nga Shqiperia. Kjo, në vend qe të ndeshkojë Edi Ramën, ndëshkon shqiptarët e thjeshtë me vendosjen e vizave”.

Për të qeshur e për të qarë: Berisha del e sqaron qytetarët se nuk duhet të mashtrohen me këtë punën e azilit politik; një thashethem që sipas tij, e kanë përhapur vetë qeveritarët, të cilët me logjikën e Berishës, mezi ç’presin të shohin një eksod biblik që t’i kënaqet xhani. Por duhet të jetë pak më e thjeshtë se kaq: Doktorit i kanë bërë ndonjë telefonatë “ndërkombëtare” t’i lërë këto lojra se u bë gazi i botës.

Share This Article
1 Comment
  • Jetoj ne Gjermani prej dy dekadash, u bera edhe shtetas gjerman, se ika ne kohen e duhur dhe perfitova nga koha kur jepej azili politik, sic perfituan mijra shqiptare, qe sot jane te integruar shume mire ne perendim.
    Ne kohen e tanishme, qendrimi ne Gjermani, vend qe e njoh shume mire, eshte 1000%, i pamundur.
    Kam njohur shume shqiptare qe kane ardhur kohet e fundit ne Gjermani dhe kane kerkuar azil politik, por qe u eshte dhene nje dokument i perkohshem, (duldung), deri ne kthimin e tyre, qe nuk i kalon te tre muajt.
    Te gjithe keta, nga ata qe kam njohur, nga pamundesia per te punuar ligjerisht, merren me pislleqe, te ndryshme, si droge e tjera.
    Po ju tregoj realitetin, pa ju genjyer aspak, se e di qe ai, ajo, apo nje familje, nga deshira per te emigruar ne nje vend si Gjermania, shesin pasurite e tyre, ose marrin borxhe me fajde, duke menduar, qe mund ti rikuperojne parate.
    Eshte nje mashtrim, sic ishin mashtrim, firmat piramidale, sic ishin mashtrim, diplomat e blera, qe te mendosh ne kete kohe, se mund te perfitosh azil politik, ekonomik, ne Gjermani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *