SHËNIM: Heronj të pashmangshëm!

anazapta

 Po dëgjohet rëndom këto ditë që policët të cilët u angazhuan në aksionin për bërjen zap të Lazaratit – thënë ndryshe, çlirimin e tij nga droga, kultivuesit dhe trafikantët e saj – të quhen dhe heronj. Për këtë cilësim, nuk ka ndonjë përkufizim të veçantë. Herozimi, akti heroik, vlerësohen të tilla sipas rastit. Thënë thjesht, ajo ka të bëjë me të pazakontën, ka vokacion ideal e moral përzierë me vullentarizëm, ku në krye qëndron riskimi i jetës. Të jesh polic është profesion. Je shkolluar për atë punë, e ke zgjedhur me vullnet të lirë, bën punën  dhe merr rrogën, me të cilën ushqen e mban familjen. Si çdo profesion tjetër. Në Lazarat, nuk kishte ndonjë vullnetarizëm, shoqëruar me përmasë të lartë ideale apo morale. Policët, thjesht bën punën për të cilën paguhen. Ata janë një prej hallkave të një detyrimin për të bërë thjesht punën, që nis nga kryesori: kryeministri. Vërtet riskuan me jetë, por ka dhe profesione të tjera,  pa armë më brez, që riskojnë ngjashëm. Por pse ndodh që t`i quajmë heronj ata, shefat e tyre, ministrin Tahiri, apo vetë kryeministrin Rama?! Kjo ndodh prej edukatës së mbrapshtë në këtë vend, ku askush nuk e bën punën siç duhet; askush nuk e bën atë që i është caktuar ta bëjë apo që ka zgjedhur ta bëjë kundrejt rrogës.  Dhe kur në një moment vendos  ta bëjë, na ngjan me një hero. Eshtë ky pra një ndër paradokset tona më të çmendura. Ne sot mendojmë se Berisha duhet të përfundojë pas hekurave për sa e sa paudhësira në drejtimin e shtetit. Por pa shkuar kaq larg, a nuk është rasti të mendojmë se  zullum mbi zullumet, është se ai ka marrë rrogën rregullisht për sa e sa punë që nuk i ka bërë?! Ja, Lazarati. Si kryeministër i vendit, ai ka patur detyrimin kushtetues që i jep posti, më thjesht vendi i punës, që të vendos diktatin e ligjit e shtetit mbi çdo pëllëmbë territor, aq më tepër në kushte paqeje. Rrogën e ka marrë për këtë punë, por punën, dukshëm e qartë, nuk e ka bërë. Pra, më parë se të llogaritet për t`u prangosur, atij duhet t`i mbahet rroga për punën e pakryer. Nëse Rama riktheu shtetin në Lazarat, bën dhe punë të tjera të ngjashme kurajoze, nuk ka hiç përse të quhet hero. Punën po bën, atë të cilën vetë e ka kërkuar pa e detyruar askush dhe për rë cilën paguhet. Heronjtë e vërtetë të këtij vendi, do jenë thjesht ata që bëjnë punën, mirë dhe saktë, edhe nëse nuk janë hiç idealistë por thjesht të detyruar nga rroga. Kush i sjell shqiptarët në këtë pikë, ai do jetë…hero!  / E.H.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *