SHËNIM: Ja ç’ndodh me PD-në kur ia heqin siguresat

anazapta

Mbledhja e radhës e grupit parlamentar demokrat dje, nuk qe krejt e mërzitshme; ikja e dritave në një moment, e pasuroi me një variacion të harruar prej kohësh, kur mungesa e energjisë elektrike në një aktivitet partiak, përkthehej si dora e të pushtetshmit që shkon e ul levën e kuadrit për ta lënë në terr kundërshtarin. Kështu ndodhi dhe ato çaste, ku kryetari demokrat de jure, Lulzim Basha, nëpër terrin e krijuar nga ikja e dritave, vërejti si nëpër terr, me në ballë prozhektorin e nxjerrjes nga terri të keqdashjes së pushtetit, tentativën për terr që qeveria po ja krijonte opozitës, një terr që kurrë nuk do mund të linte në terr faktet si drita që kjo qeveri po e zhyt vendin në terrin e humbjes së shpresës, ku ashtu si nëpër terr, feks vetëm drita vizionare e së nesërmes në ballin e Lulit. Pra, kjo është historia e rradhës ku një terr i zakonshëm shqiptar prej ikjes mëse të zakonshme të dritave, tirret e tirret për ta shtrydhur sa mundet për pak politikë. Vini re: teksa ikin dritat, nuk ua ndjen shumë se një ikje e tillë e energjisë, sa e sa biznese mund të dëmtojë atë çast, sa e sa probleme mund t`i hapë dikujt, apo se akoma jemi një vend ku ikja e energjisë është anormaliteti më normal, jo! Shohin aty, në terrin e mendjes, se si një dorë e zezë pushteti jua heq siguresat (ose siguresën, por petllën më mirë, do thoshte dikush), për të shpërthyer më pas si tritol denoncimesh: qeveri e territ! Kaq duhej.  / E.H.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *