FUTBOLLI NA E TREGOI RRUGËN

Dita

Është thënë aq herë si frazë: Me sportin, sidomos futbollin, jemi më pranë Bashkimit Europian sesa me politikën dhe qeverisjen. E kemi thënë sa herë Kombëtarja na ka dhuruar emocione, dhe nuk e kemi harruar edhe kur jemi zhgënjyer.

Por kësaj radhe është realitet:

Kombëtarja jonë e Futbollit shkon në finalet e Kampionatit Europian Francë 2016! Fitorja 0-3 me Armeninë ndaj një ekipi tërësisht të pamotivuar së pari, dhe me cilësi sportive dukshëm më modeste se i yni, së dyti, nga ekrani u pa më e lehtë nga ç’e mendonim.

A na u shndërrua zhgënjimi me Serbinë në “inat produktiv” dhe përqëndrim? A ishte mungesa e një presioni negativ arma e duhur? A luajmë më mirë jashtë sesa brenda?

Këto janë çështje sportive që do analizohen me nge; por mund ta themi me gojën plot se “futbollistikisht”, jemi në BE.

Në fakt, vetë kombëtaren e futbollit e kishim dorë-dorës, gjithnjë e më evropiane: Jo thjesht për shkak të trajnerit të huaj tashmë shqiptar, Xhani De Biasi, një italian punëtor dhe metodik që nuk rreshti së “shtruari në punë” lojtarët e vet; por edhe për lojtarët që ai zgjodhi. Le të mos harrojmë çfarë bëri De Biasi, për të nënkuptuar se çfarë nuk është bërë më përpara.

Ai kërkoi dorë të lirë në ndërtimin e ekipit, ua preu rrugën ndërhyrjeve, paralajmëroi që do duhet kohë dhe punë, shumë punë, para se të shijohen rezultatet. Dhe siç e kemi parë, u bëmë dëshmitarë të ngritjes së një ekipi me frymë… ekipi! Që gabon, por di dhe të ringrihet. Që luan gjithnjë e më “europiançe”, me skema dhe cilësi loje, jo bjeri t’i biem. Që e kujton ndonjëherë edhe stilin e vjetër dhe na ngrin gjakun, por ama ka mësuar të rikuperohet. Që mund edhe të mos na kishte çuar në Francë, por do ishim njësj të ndërgjegjshëm se kjo është rruga e duhur.

Futbolli na e tregoi rrugën. Dikush mund të thotë: Djemtë janë vetë lojtarë të prodhuar në Europë, fati ynë është që ndihen shumëshumë shqiptarë. E vërtetë, por a do arrijmë ta ndjekim këtë ekip “ne të tjerët”, jo për të vjelur pikë politike por për ta imituar në sukses? Sepse sado patetike të duket, parimi është po ai. Nëse fjala bie, në çdo sektor zgjidhen njerëzit që kombinojnë talentin me punën, që hasin vështirësi por nuk dorëzohen, që këmbëngulin pa gjetur rrugën e shkurtër etj, atëherë gjasat janë që të paktën, të kemi më shumë sukses nga deri tani. Fushën zgjidheni vetë, dhe rregulli funksionon po njësoj.

Sigurisht, ka një ngërç në këtë mes: Duhet një De Biasi, një Gani Abazi për të bërë përzgjedhjen…

Share This Article
2 Comments
  • KAMPIONATI EUROPIAN ESHTE I GJITHE SHTETEVE TE EUROPES DHE JO VETEM I SHTETEVE TE BE.

    MOS FLUTURONI ME PRESH NE …..

  • Futbolli s’te tregoi rrugen , por udherrefyesin ! Eshte fatkeqsi qe ky udherrefyes nuk ishte politika !
    Mbaj mend ne 1990-ten , kur s’kishim mend se ishim idealiste , ketu e 25 vjet te shkuara qe bertisnim “E duam Shqiperine si gjithe Europa” dhe cdo vit qe kalonte ne largoheshim prej “parimeve” te saj dhe aq me shume afroheshim me te , Europen ! Megjithese politikanet tane jane po aq kriminale , antipopullore dhe antishtet sa dhe ata europiane , prape se prape , ai qe na futi midis europianeve ishte futbolli !
    Kjo eshte nje verejtje e madhe per politiken !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *