SHËNIM: “Kanë vra msusin morr hehehehehehe”

anazapta

Lajmi i gjamës i dhënë prej malësorit fill pasi u morr vesh që Dritan Shkaba kishte dhënë jetë i qëlluar pas shpine teksa po korrigjonte detyrat e vocrakëve nën një dritë të zbehtë qiriu, rri dhimbshëm dhe në realitetin e sotëm, me një kontekst paksa të ndryshuar, por me thelb të njëjtë gjithsesi: mësuesin e kanë vrarë!                                                                                                                            

I rëndë ky pohim sot më 7 mars, por nuk ka autosugjestion pozitiv që e fsheh faktin se kriza e arsimit, është në të njëjtën kohë dhe krizë e figurës së arsimtarit, mësuesit pra, edukatorit të shoqërisë. Arsimi është shpirti i një kombi, e në do t`i bësh skanerin një vendi, njerëzve e punëve të tyre, shih arsimin. Aty ngërthehet dija dhe edukimi; dhe në çdo çast e kohë, vizatohet e nesërmja. Kur Toni Bler do niste mandatin e parë qeverisës, shpalli tre prioritete: arsimin, arsimin, arsimin!

Nuk është nevoja për shumë analiza të detajuara për të vlerësuar çfarë ka shkuar për mirë e çfarë ka shkuar për keq gjithë këto vite të tranzicionit; mjaft të shohësh arsimin se në ç`pikë të hallit ka mbërritur, për të arritur në një konkluzion fatal se asnjë lloj progresi e zhvillimi në dukje, nuk ka kurrfarë vlere, derisa arsimi nuk arrin të edukojë më, e se është ndër sektorët më në krizë, derisa është fjala se si ta çarmatosësh fillimisht, nga thikat e armët e zjarrit që gjenden ndër trupa nxënësish si pa të keq. E në qendër të kësaj mynxyre, qëndron mësuesi, ai që ka humbur të gjithë kreditet e personalitetit.

Mësuesia sot, është i varur nga kaqoleria partiake që pa asnjë lloj ndjeshmërie bën pazare me vende pune në shkolla, duke e shfrytëzuar si terren për të shpërblyer militantë fushatash. Në arsim kanë mbetur dhe ndoca edukatorë kokëthinjur, trashëgim i vyer i një kohe të shkuar, ende të dashuruar si në të ritë e tyre me profesionin; ka doemos dhe të mëvonshëm plot përkushtim, por rezultantja e tyre është mjaft e dobët dhe e pandjeshme në raport me degradimin e përgjithshëm. Mjaft të vërehet se sa të rrallë janë ata që vërtet duan të bëhen mësues, pasi mund t`u ngjajë vetja derdimenë në një treg profesionesh, ku vendin e parë në përfytyrimin e lumturisë e zënë tufat me para që assesi nuk mund të sigurohen në dërrasën e zezë. Kjo shoqëri vrau mësuesin, ndaj dhe po vritet çdo dite mes vetes!                                                                                                                    

 

P.S.  Këndonte dikur Gjergj Suljoti:

S`ma harrohet mësuesi i parë

që  m`ësove ABC-në

që të bëhem djalë i mbarë

dhe me gjak ta mbrrojë atdhenë…

E sot kur ndër koka njerëzish vërtiten turlilloj vargje të rëndomta epshi, sikur i gjithë mileti të ishte në muajt e parë të ushtrisë me frustracione të tmerrshme seksuale , vështirë që mësuesi ta rimerr skeptrin e nderit e dinjitetit, si dijedhënës dhe edukator.     / E.H.                                                       

Share This Article
3 Comments
  • Hej hejjj, kan vra arsimin o hejjjjj.
    Kjo mund te jete thirrja ne ditet tona, gati 60 vjet nga vrasja e mesuesit te popullit Ndrec ndue Gjoka.
    Qeverite antipopullore dhe antishqiptare, per te qeverisur te patrazuar, punen e pare qe bejne, shkaterrojne arsimin, se vetem nje analfabetizem ne mase te madhe, i jep ketyre qeverive dallkauke, militantet e nevojshem, per ti patur si grupe zjarri, per te djegur vendin, ne rast rreziku.
    Dhe qeverisja 23 vjecare, ku analfabetizmi eshte rikthyer frikshem, tashme eshte nje fakt, qe edhe ata qe e zbatuan kete plan, se mohojne dot.
    Dy profesionet me te kerkuara ne te shkuaren, per arsyen se ishin profesione qe kishin respektin maksimal, si ai i mesuesit dhe mjekut, jane bere sot, profesionet qe mesuesit e mjeket, te ecin kokulur, per vete opinionin, qe pseudodemokracia u la si peshqesh.
    Por besoj se mbas zbythjes se antishqiptarit Sali Berisha, edhe dinjiteti i mesuesit, te marre respektin, qe meriton, ne nje shoqeri te civilizuar dhe te arsimuar.
    Urime 7 marsin te gjithe mesuesve, mbare kombit shqiptar.

  • Komplimente z.E.H. per artikullin e shkruar !! Si mesuese e vjeter , qe kam punuar pa u lodhur per 3 dekada , vetem me perkushtim per kete profesion te nderuar,duke perdorur si mjet forcen e fjales , dashurine per nxenesit e shembullin e figures te larte te mesuesit , me dhemb zemra e shpirti kur shikoj e degjoj se ne c’gjendje eshte rrenuar arsimi tek ne. Do te duhen shume vite , qe te luftohet analfabetizmi e te rinise sistemi i ri arsimor. Le te shpresojme !!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *