Gjëja më e paqartë në ballon e organizuar nga presidenti Nishani, janë pikërisht maskat: nëse ishte apo jo me to?! Vetë fjalimi i kreut të shtetit e krijoi këtë konfuzion, gjersa përmendi të varfërit dhe zengjinët, ndërkohë që ligjin e bënin të dytët. Ah apo, nëse ajo mbrëmje do ish stisur në atë mënyrë që, të bënte bashkë të dy kategoritë, si një gjetje origjinale për të dhënë mesazhin e një ndjeshmërie më të madhe ndaj fatkeqëve me shumicë tek ne, kjo po, do nderonte si presidentin, e si balloistët. Por forma e zgjedhur, tregonte për një maskë që kishin venë të gjithë në atë ballo, me në krye vetë presidentin. Siç dihet tashmë, fjala ‘maskë’ ka hyrë tek ne me një vokacion kriminal. Maskat janë ato që të bëjnë gjëmën. Rasti më i freskët është ai i babagjyshëve që, të maskuar si babaxhanër zemërdhembshur e filantropë, kryen një vjedhje spektakolare si tani një vit, e që nën maska të tjera kanë vjedhur jo pak gjatë një viti.Por para se maskën t`a heqim nga koka e krimit, duhet më parë që ta heqim nga koka e shtetit dhe e politikës. (Një lot rrjedh, derdhet lumë/jam pjellë e krimit, por krimi s`jam unë! – thuhet në vargjet e një kënge të dikurshme të grupit Mister, me tekst të Vangjel Kozma). Nuk është mëkat të bësh ballo; mëkat është të mbash maskë!
