SHËNIM: Letra pa përgjigje e kryeministrit

redaktor

Kryeministri Edi Rama ka nisur një letër. I është drejtuar kreut të opozitës për tu ulur dhe shtruar një nga një çështjet që kërkojnë zgjidhje. Përgjigja po vonon. Madje nuk po qarkullon as dhe një haber. Nga ajo që duket, kreun demokrat do të pretendojë të thotë se asgjë nga ato që pret opozita nuk është e shkruar në letrën e kryeministrit. Basha, nga ajo që po shohim, të paktën deri tani, nuk i intereson reformat territoriale, apo pafundësia e problemeve që duhet ulur “kokë më kokë”, diskutuar dhe zgjidhur me konsensus, për hir të proceseve që presin vendin.

Letra që tashmë ka mbërritur në tryezën e liderit demokrat, është përshëndetur edhe nga aleati i Ramës në krye të Kuvendit, Illir Meta, por jo vetëm. I madh e i vogël kanë hapur sytë dhe veshët për të parë xhevapin që do i japë Basha Ramës. Kreu i qeverisë zgjodhi ditën e shpresës e të ripërtëritjes për ta publikuar letrën e tij për rivalin politik. Por kryetari demokrat e pa të (pa)vend të mos thoshte asnjë fjalë, tek po uronte nga kryegjyshata botërore besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit. Qejf mbetja e Bashës për këtë heshtje mund të kenë ardhur nga mesazhet verbale apo të shkruara që ka dhënë herë pas here kryeministri.

Por kur nevoja për të zhbllokuar ngërçin politik dhe institucional është kaq e madhe, inatet që sjell përditshmëria politike janë hiç gjë. Janë krejt të papërfillshme. Ndaj dhe kreu i opozitës nuk ka pse të kushtëzojë pjesëmarrjen në këtë reformë. Ai mund të thotë se nuk ka asnjë garanci që konsensusi i radhës do të shkelej. Këtu dhe mund të ketë të drejtë. Por si fillim, ai duhet të takohet, polemizojë, pa kushte dhe rezerva. Ti propozojë variantet e tija për reformat dhe krejt në fund të prezantojë qëndrimin. Heshtja e Bashës në këtë mund të përkthehet bllokim, ç’ndreqje, ç’reformë./Isuf Kurtaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *