SHËNIM: Lexues të vetëshitur pa ankand!

redaktor

Një lajm mbi nxjerrjen në ankand të 3 tonë librave të biblotekës ‘Thimi Mitko’ në Korçë, pati një reaksion jo të vogël. Lajmi u fut në suazat e absurdit; pra të të pabërave shqiptare me shumicë, në daç dhe në fushën e kulturës, e librit në veçanti. ‘Libri’, që në vetvete bart një vokacion shenjtërues, i shprehur ashtu me ‘ton’, u duk papritur si një mall i rëndomtë, si të thuash tre tonë pleh, që më tepër shoqëruar nga fakti se kjo sasi do hiqej nga raftet e një biblioteke si ajo e Korçës (sigurisht që, po të bëhej fjalë për bibliotekën e Roskovecit, lajmi nuk do provokonte aq zemëratë në opinion), për t`u shitur me ankand.

Por ja që, personaliteti kulturor i një zonje si Zamira Kita, e cila e përligji edhe ligjërisht këtë akt, e zbuti disi dhimbjen që shkaktoi lajmi.

E sa për info, edhe në komunizëm, aty ku gjithsesi librit iu ngrit shenjtëria, ekzistonte proçesi i skualifikimit si mall; jo si mall përmbajtësor, por si diçka lëndore. Ishte reparti i grumbullimit të letrës, i inkuadruar në ndërmarrjet komunale, ku letra çohej me dyzina për t`u shitur, nga individë të ndryshëm, por dhe institucione apo shkolla, diku tek 5 lekë kilogrami.

Dhe tek letrat gjeje gjithçka, kartona ambalazhimi, letra shkresurinash, libra të zhanreve të ndryshëm. Dhe mbaj mend që, gjatë një loje çiliminjsh me libra kokës, aty në atë ambient, dikush ma ngjeshi me romanin ‘Vite mbi supe’ të Kiço Blushit.

Pra, nuk është aq për t`u dëshpëruar se përse 3 tonë libra të ‘Thimi Mitko’-s, dalin në ankand – ndër më të bukurat dëshpërime që mund të ketë shqiptari këto kohë – se sa lexuesi, po ashtu me tonelata, ka kohë që e ka shitur veten pa ankand fare, duke u vetëskualifikuar në dhuntinë e ëmbël të leximit.

Nuk është vendi për të qarë librin e munguar (librat kurrë nuk mungojnë apo mbarojnë); por kujën për lexuesin e harruar!/E.H

Share This Article
1 Comment
  • Se mos vetem librat jane shitur dhe zhdukur nga Kryetaret qe ka patur bashkia e Korces nga institucionet dhe muzete qe ajo ka patur ne vartesi. Aty u shkatrua c’do gje vetem qe te perfitonin keta shushunjeza qe nga i pari Gjergji(u shi ) i Gjinko( ve ) dhe deri ke ky i fundit andikapi i Dulkes qe vetem kryetar Bashkie s’mund te jete se duket dhe nga surati c’fare specie eshte. Me c’duket kesaj radhe ja kane vene syrin Biblotekes qe ti ”japin ndonje restaurim ” te per ri mbushur xhepat thase te tyre. Ketu do te jemi do tja degjojme zerin bemes se re te ketyre shushunjezave te pa ngopura , nuk eshte halli i librave ketu por ndertesa kaq e lakmushme……

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *