Në një nga ato takimet e mia me shkrimtarë, Visar Zhiti më thotë: “Takova një nënë në 1999-ën dhe më tha Lum ato femra që ishin shterpë kur linda unë”. E kishte humbur djalin në vitin 1997, kur ai kishte dalë të merrte rrobat në ballkon.
Visari më faltë që po e përmend, po për njëmend kjo është katastrofa më e madhe që po jetojnë fëmijët sot. Dhe nga tekstet e muzikës këtë herë, jo nga politika. Kjo e fundit vetëm sa të merr frymën, po ne tani u mësuam dhe këtë muaj do t’ia hedhim sërish paq.
Parvjet dëgjoja fëmijë të këndonin “Se unë jam zogu më i mirë prej krejtve”. Jehona e zogut zgjati aq shumë sa që artistja nisi edhe episodin e dytë të këngës. Zogun më të mirë prej krejtve e kishte si aset për t’shit mend sa tdush. Kështu mësuan të gjithë vlerën dhe përdorimin e aseteve potenciale për të pas gjithçka e për të shitur mend.
Mirëpo, këtë verë, këta fëmijë që për dy vite i këndonin zogut, u rritën e përtej të gjithave, tekstet me FENIX u vjetëruan. Kështu këtë vit, Getoari dhe Flori, për shkak të tregut muzikor që vetë e krijuan, vetë e bëjnë dhe vetë e çojnë deri në këtë derexhe, vendosën të vijnë ndryshe. Të vetëshpallurit baballarët e muzikës a më të mëdhenjtë në treg vijnë hot edhe këtë vit. Njëri si “majmun” e tjetri si “mamkapës”.
E nisim me këtë të fundit, megjithëse nuk ndryshon shumë edhe po ta nisësh me “majmunin”. Ngado që ta kapësh, qelbesh.
“Ke vesh nallane, dhe bo filozofi nëpër mihane, nese ke menu se mu m’nale, mu nuk m’nalin dot 40 si ty, m’vjen keq për ty. Hilet i bone, dhe në fund ja fute vetes tane, nëse ke menu se cool u bone, shumë ti ke gabu, mos u merr me mu, ta du shumë mamin, mamin ta du shumë ooo. Respekt për mamin, po për ty respekt jo, pyete pak mamin, se dhe ajo m’do, ça do thotë për mu”. Ky është teksti i pjesës së parë të këngës së fundit të Flor Mumajesit.
Po nuk mbyllet këtu. Subjekti i këtij teksti vazhdon me djalin që pasi i thotë vajzës që i ka kap edhe mamin, bën lacin dhe të “pastrin”. Njeriu me dy fytyra, pasi ky djali i bën të fala edhe mamit, rezulton të jetë kjo vajza: “Sa keq u bone, dhe sa shpejt e nxorre ftyrën taneee, gjakun tënd të kuq të zi e bannne, pse të djeg për mu kaq shumë se di, po kush je ti, a thu ça bone, kur u bone ti me dhon leksione, më mirë rruje nerin e shpis ton`e, mos u merr me mu, se ta du shumë mamin”.
Situata është pak më ndryshe me majmunin e Getoarit. Kënga është plot metafora me majmune që duan banane, çka e bën disi më të vështirë të kuptohet nga fëmijët. Ama, Frojdi kurrë nuk do të lodhej të krijonte një metologji për analizën psikoanalitike të një teksti, nëse do të mendonte se muzika do të degjeneronte në kaq shumë metafora të thjeshta për t’u zbërthyer.
Ndoshta po i fus shumë hundët në këtë lloj arti komercial që e krijuan ca njerëz që nuk kanë studiuar as dy vjet historinë e artit. Ndoshta duhet të kapem drejtpërdrejt me autorët e teksteve, që as nuk i di dhe as që nuk dua ta di se cilët janë. Por përtej parave a e dinë këta njerëz që po krijojnë këtë treg muzikor që nesër mund të bëhen prrindër? Apo kanë ndër mend të marrin ndonjë grua shterpë?
A mendojnë ndonjëherë për gjurmët që do të ndjekin fëmijët e tyre, apo për ata thjesht është para?
A kanë menduar ndonjëherë t’i lënë pas pak para, por shumë dinjtet, moral e krenari si Robert Ndrenika e shumë të tjerë apo kanë ndërmend të rrëfejnë se si e kanë degjeneruar një brez të tërë, një traditë të bukur muzikore për të kënduar “Të gjeta tu lujt me letra bejbi, tu mbush kuleta…”, “Ta du mamin” apo “Ta du majmunin, ma do bananen”?
Lum unë që ende s’kam lindur ! Sepse edhe në parqet e lojërave në Tiranë s’është çudi të dëgjosh “A don me e kry apo don me ta thy”.