SHËNIM: Marrja e ‘statusit’, ç`përjetim kur e komenton…Ismet Bellova!

anazapta

Në fjalorin urban, fjala ‘status’ nuk të thotë kushedi ç`ë; nuk ka ndonjë ngjyrim të fortë emocional përshembull, i mungon ambiguiteti, ka përdorim të kufizuar vetëm në raste të veçanta për aq sa vlen: për të treguar pozitën e diçkaje apo të dikujt në një moment të caktuar. Pothuaj e pamundur ta hasësh në krijime poetike, por dhe në gjini të tjera letrare; nuk e has në dialogje dashurie apo të tjera të llojit thjesht shoqëror; nuk ekziston asnjë ofendim me fjalën ‘status’, si e tipit “ç’mi bën turinjtë si status”, apo ndonjë kompliment si “qenke bërë simpatik, si status!”; pra së më shumti, haset në gjuhë sociale, politike dhe diplomatike, siç në rastin e freskët, ku ne, Shqipëria e shqiptarët, morrëm statusin e një vendi kandidat  për në BE. Pa qenë nevoja për ndonjë sondazh, fjala ‘status’ dje do ketë patur rekord përdorimi në fjalosjen e shqiptarëve, që nga ligjërimet me theks politik e deri tek ato të rëndomtat në dialogje rruge. Ama nuk dihet sesa është ngatërruar kjo fjalë me ‘statutin’. Vite më parë, në një emission radiofonik mëngjesi, një moderator i njohur, që për më tepër jep dhe leksione në fakultetin e gazetarisë,  bëri lëmsh ‘statusin’ me ‘statutin’, duke mos qenë në gjendje t`i dallonte nga njëra-tjetra. Ç`prej ditës së djeshme nuk është çudi që të shohim tash e tutje dhe ndonjë lokal me emrin ‘status’, apo ndonjë foshnjë të pagëzuar me këtë emër. Eshtë karakteristikë e jetës dhe e mendësisë shqiptare që gjëra krejt të rëndomta, të përftojnë përmasa madhështie në një moment të caktuar dhe të shndërrohen sakaq në mani kolektive. Por marrja e ‘statusit’, sigurisht që është diç historike për ne. Ama i duhet ruajtur “shenjtëria” nga përdorimi pa kararar, siç e kemi zakon. Se ja, vjen puna që të dëgjosh një koment për ‘statusin’ dhe nga legjenda e komentit sportiv, Ismet Bellova. E shkruara nuk mundet dot të përcjell emocionin e së dëgjuarës, por çdokush është i lirë t`i dhurojë vetes me imagjinatë pikërisht një koment të Ismet Bellovës për marrjen e ‘statusit’, nëse nuk ka mundur ta dëgjojë realisht dje në orët e pasdrekes në Radio Tirana. Ishte diçka më shumë se fantastike, ku timbri i rrallë i zërit të tij, ngjyra vokale karakteristike, ritmika origjinale e artikulimit dhe e përcjelljes së frazës, ta bënin ‘statusin’ shumë më të dashur nga të gjithë ligjërimet e djeshme të politikës. Dhe nëse Rama e konsideron marrjen e tij një fitore të  “kombëtares” qeveritare në drejtim të së cilës është, nuk do ishte keq që lajmin për marrjen e ‘statusit’, t`ja kishte lënë për kumtim…Ismet Bellovës!      / E.H.

 

Share This Article
3 Comments
  • Zeri i Ismet Belloves eshte i pakrahasueshem per komenetet sportive . Ai na ka shoqeruar ne vite , duke na ngjallur emocione te vecanta nga ndeshja ne ndeshje. Respekt per kollosin tone radiofonik , Ismet Bellova !!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *