SHËNIM: Mos bëhet fjalë për të dehur?!

redaktor

Kryelajmi i politikës dje, ishte një e dhënë ku thuhej se opozita kërkon prej mazhorancës që mos diktojë ligje me 84 vota, pa miratimin e saj (!!!). Eshtë ky ndër ato lajme, ku lutesh që gazetari që e ka ofruar, të rezultojë i dehur. Por ditët në vijim, do provohet nëse, me ca gota të rrëkëllyera, si prag feste që është, ka qenë gazetari apo udhëheqja e opozitës?!     Po të vësh re, nuk ndodh kurrë që opozita të evokon ndonjë sjellje të denjë të saj, dje kur ishte në pushtet, karshi opozitës që sot është mazhorancë, si për t`i thënë që ja se si u trajtuam ne atëherë, gjë që ju nuk po e bëni me ne, siç e bëmë ne me ju; përkundrazi, është mazhoranca ajo që evokon sa herë sjelljen e padenjë të opozitës dje në pushtet, për t`i kujtuar se me ç`standarde të ndyra luajtën. Hipokrizia në politikë, por jo vetëm, vjen sa herë është prodhuar padrejtësi. Pra, sa më shumë të shohim doza hipokrizie tek një sjellje politike, këtë duhet ta marrim dhe si konfirmim të faktit se sa padrejtësi është prodhuar prej atyre që e kanë këtë sjellje. Të thuash se opozitës së sotme i lexohet hipokrizia në ballë, si në raport me parlamentin e si në terrenin ekonomik e social, nuk është ndonjë gjetje e madhe. E për të mos i hyrë në hak, nuk është vetëm ajo që bie në këtë lloj bataku. Nga e majta, atë e dallon shpalosja tejet e trashë e këtij vesi. Eshtë ende herët dhe e tepërt t`i kërkosh dehipokrizimin e sjelljes, derisa nuk revolucionalizohet së brendshmi për të promovuar drejtësi, por të paktën të përçojë ca pak finesë në akte politike, sa për të mos trazuar stomaqet e gjindjes, pikërisht në prag festash./E.H

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *