Dekada më parë në këto kohë, shqiptarët – i madh e i vogël, siç thuhej – rrëmbenin, kush një kazëm e kush një lopatë, të angazhuar në aksione për mbjelljen e fidanëve të rinj: kishte ardhur dhjetori – muaji i pyllëzimeve. Kur para disa vitesh dy shqiptarë po grindeshin me shoqi-shoqin se kush prej tyre e donte më tepër Shqipërinë, njëri prej tyre ftoi tjetrin që të tregonte se sa ishte numri i fidanëve që kishte mbjellë në atë kohë, me pretendimin se vetë ai, i kishte dhuruar Shqipërisë gati një pyll të tërë, i angazhuar maksimalisht në aksione, e pa asnjë lloj karikimi ideologjik, por thjesht nga dashuria për atdheun. Ngjan si pak gallatë kjo mesele, por është tërësisht e vërtetë. Personi që e tha këtë, ishte në mbrojtje të tezës se ca punë të mira, qëndrojnë mbi kohët, sistemet dhe ideologjitë. Ata që e urrejnë komunizmin e Hoxhës, e kanë një akuzë për të dhe në çështjet e mjedisit, duke pretenduar se hapja e tokave të reja – “T`u qepemi kodra e maleve për t`i bërë ato pjellore si dhe fushat”, pasi “Lufta për bukën është (ishte) lufta për socializmin” e nën këtë frymë u kënduan dhe vargjet “Përmbi shkëmb bukën ta prodhojmë” – dëmtoi mjedisin natyror për shkak të ç`pyllëzimit. Megjithatë, vinte dhjetori e ca fidanë nguleshin gjithsesi në tokë.
Ajo që po ndodh së fundi, ku për herë të parë mbas kaq vitesh po shihen njerëz duke mbjellë pemë anës rrugëve – ndërkohë që Rama i është rikthyer furrave të gëlqereve poshtë Krujës, duke shpallur mbylljen e tyre përfundimtare e ripyllëzimin e asaj zone – në mos u paftë prej dikujt si rikthim i simboleve komuniste, është gjithsesi më e mira gjë që po ndodh këto kohë. Dhe fakti që nuk po ka ndonjë oponencë, si për shumë punë të tjera, po ndodh për faktin se shumëkujt, ende nuk ia ndjen për mjedisin në këtë vend. Po të ishte ndryshe, Berisha do ish rrëzuar nga pushteti vetëm për një detaj, sikur të shkëlqente në të gjithë drejtimet: për atë masakër natyrore në Krujë!
