Nëse ka diçka për të cilën Rama nuk duhet të vijonte të ishte më kreu i Bashkisë së Tiranës, diçka vërtet akuzatore ndaj tij si kryqeveritar i kryeqytetit deri para tre vjetësh, ajo është paaftësia e tij për të zhdukur një lloj karkaleci bezdisës të shërbimit urban, siç është faturinoja. Rama futi autobusët e rinj, madje dhe me kondicionerë, por la brenda tyre ca qenie të përbindshme, që bota e zhvilluar me kohë i ka futur në muze si relike. Një lajm i fundit bën me dije se në një prej autobusëve urbanë të Tiranës, një pasagjer është rrahur me një faturino, pasi ky i fundit ishte sjellë vrazhdë dhe kishte fyer një vajzë. As unë nuk dua të fyej kënd.
Në rradhët e faturinove ka plot njerëz të urtë e të ndershëm, sigurisht hallexhi, që e bëjnë atë punë me siklete të mëdha, pasi ndeshen dhe ata me jo pak trushkulur që i fyejnë apo i përçmojnë. Nuk e kam as me vetë profesionin e fatorinos, që tek e fundit, është krejt i zakonshëm e i pamëkat. Por rritja e nivelit të shërbimeve publike, nuk ka vend më për fatorino. Duket ashiqare që ata janë të trajnuar se si ta kërkojnë pagesën, por jo se si duhet të sillen me pasagjerët. Të lodhur, të vrazhdë , nervozë e mishërim këmbë e kokë i anti-etikes dhe anti-estetikes, ata janë makthi i një udhëtimi në urban, krahas ecjes të tipit breshkë të autobusit.
Sidomos kur shprehitë stereotipe “lekët” ose “biletën” – që rrallë pasohet me ndonjë “të lutem” – shoqërohen me një prekje në sup, ndaj kujtdo, pa dallim. Më keq akoma është në raste mizërie në autobus, ku ai çan mes trupave nëpër gjithë hapësirën e brendshme duke u fërkuar e ngjeshur me pasagjerët, që veç hallit të akomodimit të vetes, duhet të mendojnë dhe se nga do kalojë fatua, d.m.th fatorinoja. Eshtë pak paradoksale që më 2014, në Shqipëria ende ekziston kjo specie (se mos vetëm kjo paradoksale!); dhe që në kinemanë tonë, ndodhet e skalitur një prej figurave më madhështore në aktrim, ajo e fatorinos tek “Kapedani”, luajtur nga Melpomeni Çobani. / E.H.