Një ndër legjendat e muzikës, Sting, ka deklaruar se fëmijët e tij duhet të punojnë e jo të shpresojnë në pasurinë e tij. Kjo frymë e tij, ky lloj morali i qashtër prindëror, është deri diku në përputhje dhe me mesazhet tekstuale të këngëve të tij, që janë dhe pasyrim i një kohe ku ndërgjegjet janë trazuar nga pentagramet. Sot vështirë të hasësh fraza të gatuara me muzikë që të çojnë të mendosh. Tekstet e sotme, n`daç shqiptare n`daç të huaja, u ngjajnë grafiteve në banjo konviktesh apo epitafeve me përmbajtje seksuale nëpër sirtarë komedinash në dhoma hotelesh, ndërsa të tilla si ato, për të cilat kritiku i rrokut me njohje botërore, shqiptari Fadil Bajraj, thoshte se adhedashurinë e ka të injektuar më tepër nga U2 sesa nga grupet kosovare me këngë të tipit ‘oi molla me shërbet’, pothuaj nuk ekzistojnë. Ja, fjala vjen, në të njëjtën kohë që Sting përçonte thirrjen drejtuar fëmijve për të punuar, dy këngëtare shqiptare turbofolku thuhet se janë zënë me njëra-tjetrën, se cila është zhveshur e para faqe miletit. Thjesht, kemi nevojë për një Sting: në mos për muzikën, për tekstet dhe mesazhet prindërore që përcjell. / E.H.
