Ka një koiçidencë të rrallë në “çiftin presidencial” shqiptar, në Tiranë e Prishtinë: Nishani dhe Jahjaga, herëpashere bëhen personazhe të ditës me ndonjë lapsus a gafë; dhe më pas nis tjerja e personalitetit të tyre, staturës së mangët për të gëzuar një ofiq kaq të lartë, siç është ai i kreut të shtetit. Po nëse Jahjaja nuk është aty prej vetes, e nuk ka lirinë e duhur të vendos për veten, për shkak të rrethanave të emërimit që janë dhe konjuktura ndërkombëtare në Kosovë, Nishani gëzon rrethana më favorizuese për t`u treguar burrë, në mos shteti, e të vetëlargohet nga ai post, pasi është produkt konjuktural i njeriu të vetëm, Sali Berishës, dhe as i ndërkombëtarëve ose i një apo dy forcvave politike.
Ai është krejtësisht i ligjshëm në atë post, e theksuar kjo dhe nga Rama në ish-pozitën e tij si kreu i opozitës, porse është jolegjitim, pasi ka ardhur aty pa një konsensus minimal mes mazhorancës e opozitës, e për më tepër, edhe vetë duhet të jetë i ndërgjegjshëm që nuk gëzon staturën as politike e as intelektuale për të qenë president. Nuk është se vetëm ai është kaq aksidental në atë post, pasi jeta politike e institucionale shqiptare, njeh raste më skandaloze drejtuesish që meritojnë shumë më pak se çfarë u është besuar, por të paktën Presidenca po njihte një ngjitje që prej largimit që aty së bashku me tapetet të Sali Berishës në `97. Më pas, do mjaftonte rezultati i 23 qershorit, që Nishani të kuptonte se ajo votë plebishitare kundër Berishës, ishte dhe kundër tij.
E ndaj, duhet të bënte një akt që do e shenjonte si të nderuar nesër në muzeun e politikës shqiptare. Ndërsa qaravitja e tij nga heqja e portretit nëpër institucionet e shtetit me vendim qeverie, nuk cënon në asnjë rast figurën e tij si mishërues i unitetit të popullit. Nuk është portreti ai që garanton unitetin rreth presidentit, por vetë presidenti diktohet nga kushtetuta si frymë, që të jetë përfaqsues i unitetit, duke nisur që nga mënyra e zgjedhjes e më pas mënyra e ushtrimit të detyrës. A e plotëson këtë formulë Nishani?! Le të ndërmarrë një anketim në popull, siç bëjnë dhe shumë forca politike në kohë të ndryshme, që mund ta organizojnë njerëz afër tij e të shoh rezultatet. Por afërmendsh që i di pa e ndërmarë fare.