Sipas një thënieje të xhevahirit popull, të vjetrit i duhet dëgjuar fjala e jo pordhët! Eshtë një metaforë që përcjell idenë e mençurisë së fshehur tek ai që ia ka pirë lëngun jetës, ku nga mosha bart gjithë atë eksperiencë jetësore, që çoç ia ka mësuar ca gjëra, që të rinjtë ende nuk i kuptojnë dot.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit `96 qarkullonte kjo rrëfenjë, e amballazhuar brenda kontureve të një barsolete, që dukej se ishte gatuar në kuzhinën propagandistike të PD-së, ndonëse asohere ende nuk njihej strategjia e PR (Public Relations) – Marrëdhënieve me Publikun, – por mund të qe dhe një sajesë e vet njerëzve, të rreshtuar kah pushteti, sigurisht. Rrëfenja ishte kjo: dikush i thotë një plake se ja, shiko se ç`po na sillte demokracia, (nënkupto: PD-ja e Berisha), të mira pa fund, bollëk e lek të madh. Ndërsa plaka përgjigjej se vërtet ashtu ishte, porse e shqetësonte korrupsioni që kishte shpërthyer.
Sipas kontekstit të rrëfenjës, plaka përfaqsonte pjesën budallaqe të shoqërisë, që shqetësohej për një gjë fare të vockël e pa pikë rëndësie, në raport me një realitet ku dhe gjeli dukej se po bënte vezë. Kujtojmë se ishte një kohë vërtet jo e zakontë bollëku e paraje, ku dhe skemat piramidale që sapo kishin nisur të bulëzonin, e kishin bërë të vetën ndër njerëz duke formësuar turma të dehurish nga lumturia.
E pas kaq vitesh, kur shohim se si korrupsioni e ka mpakur çdo energji pozitive në këtë vend, e ka dërmuar brinjësh, ia ka thithur gjakun si ndonjë mushkojnë në përmasa rinocerti, shqetësimi i plakës rezulton si kulmi i mençurisë ndër ne. Nga plaka citoheshin vetëm fjalët e nuk thuhej si quhej e nga ishte. Ishte pra një plakë anonime, po aq heroike sa ‘Partizani i panjohur’, ndonëse me fjalë e jo me pushkë.

Plaka “me fjalë e jo me pushkë” e meriton një monument sepse fjala e plakës në rastin konkret ka qënë “më me peshë dhe më e rëndë se plumbi i partizanit”. Si partizani,si plaka kanë identifikuar të keqen e vendit dhe dhanë kushtrimin për luftë. Prandaj plaka e panjohur dhe partizani duhet te radhiten denjesisht përkrah njëri tjetrit. Monumenti i plakës duhet te ngrihet dhe për këtë mund të kontribuoj dhe uné i biri i një partizani. V0! Kush e ka shkruar këtë shenim interesant për mençurinë e te vjeterve(plakave)? Shënim që synon të ringjallë heroizmin e “mënçurisë së te vjetërve”? Atë heroizëm që duket sikur ka vdekur!? I lumtë shënimshkruesit!
Me te vertete, shkrim shume i bukur, qe te ben te mendosh, fjale ose mendje te mencura, ka neperkembur ky popull.
Kur sundon katrahura, cdo gje e bukur dhe me vlere, zhvleresohet, si ne rastin e kesaj nene te mencur.
kot nuk thone “plakut mos i degjo pordhet por degjoi fjalet’