Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe reforma e re përcakton një mënyrë të re të konceptimit të Pushtetit Vendor, deri dje e ndarë në Bashki, kryesisht urbane, Komuna kryesisht rurale dhe shumë pak bashki mikse urbane e rurale. Kjo risi ka të bëjë në veçanti me organizimin territorial shumë të ndryshëm me atë paraardhës dhe kjo është tepër e dukshme në qytetet e mëdha dhe sidomos me metropolin, Tiranën.
Në kuadrin e reformës së re territoriale Bashkia e Tiranës përfaqëson popullatën më të lartë numerike në rreth 557,422 banorë (sipas INSTAT) dhe në territorin më të madh disponibël, prej 1110 km/2 (po sipas INSTAT).
Mënyra e re e organizimit, krijon më tepër avantazhe në aspektin zhvillimor, rajonal, ekonomik, mjedisor e tjerë, sesa mangësi apo handikape. Mjafton të kemi parasysh se zhvillimi i gjithanshëm ekonomik-shoqëror e mjedisor do të varet shumë nga përcaktimi dhe zhvillimi i burimeve njerëzore dhe mirëmenaxhimi dhe zhvillimi i burimeve natyrore e territoriale. Në çdo situatë kombinimi i këtyre faktorëve ka qenë dhe do të jetë baza për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror e mjedisor.
Përsa i përket Bashkisë Tiranë, e cila përfaqëson Bashkinë më të madhe territoriale dhe me popullsi më të lartë, është e domosdoshme, një këndvështrim jo më si më parë, ku çështjet urbane konsistonin në mirëmenaxhimin urban të qytetit, duke mos bashkëvepruar me rrethinat dhe zonën rurale, të cilat ishin të organizuara nga komuna të ndryshme, të cilat mbajtën në kurriz peshën më të rëndë të mbipopullimit të tyre, falë lëvizjeve demografike, të çorganizimit të territorit, i cili nga rural është kthyer në territor as urban dhe as rural. Politikat e mëparshme territoriale, e sidomos të komunave që kufizojnë me kryeqytetin, kanë qenë të asgjësimit të tokave bujqësore, kthimit të tyre në troje banimi, të cilat krijuan vështirësi, si në administrimin e territorit, ashtu edhe të mosfunksionimit të këtyre hapësirave në basene ekonomike qofshin këto rurale apo urbane, duke shtuar problematikën e vetë kryeqytetit. Vendimet e marra nga drejtuesit komunalë, kanë krijuar vështirësi serioze të rrethinave dhe kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në mirëadministrimin e territoreve, siç e thamë më lart, as urbane dhe as rurale.
Njësia e re e krijuar e Bashkisë së Tiranës, sipas Reformës Administrative përfshin bashkë me qytetin e Tiranës, territorin e ish-Komunave fushore Farkë, Kashari, Petrelë, Bërxullë, Bërzhitë, Baldushk, Ndroq, Pezë, Vaqar, Zall-Herr dhe komunave malore si Dajt, Krrabë, Shëngjergj dhe Zall-Bastar. Është territor më i madh dhe me numër më të madh të ish-Komunave në Republikë. Në këtë territor përfshihen rreth 14650 ha tokë bujqësore, po kaq kullota dhe rreth 18000 ha pyje, ku një pjesë e tyre e zënë parqet natyrore (si Shëngjergj, Çajret e Selitës, Bastarit, Kllojkës e Dajtit), si dhe e zonave të mbrojtura si ai i Dajtit. Janë gjithsej 145 fshatra, ku jetojnë rreth 90.000 banorë (përfshihen të ikurit dhe të ardhurit). Pra siç shikohet, metropoli me një popullsi të lartë i qytetit të Tiranës përfshin edhe një zonë rurale, që mund të klasifikohet intensive bujqësore e blegtorale, ekstensive dhe malore dhe pyjore. Pra, ka një konfigurim rural të përzier, por me resurse të mëdha, të cilat nuk janë vënë në efiçencë gjatë periudhës së mëparshme, ku një rol negativ ka krijuar edhe ndarja territoriale.
Çfarë ndodh sot me ekonominë e Komunave aktuale?
Prodhimi bujqësor e blegtoral është i ulët dhe aspak i qëndrueshëm. Këto territore kanë qenë nga më prodhuesit e Republikës, të specializuara kryesisht në perimet e fushës, vreshtari, pemë frutore e blegtori. Avantazhi territorial, pranë metropolit më të populluar në vend, kushtet e përshtatshme klimatiko-tokësore, si dhe tradita e prodhimit intensiv perimor e frutor, aktualisht nuk shfrytëzohen, si pasojë ekonomia bujqësore, blegtorale e rurale është e dobët dhe nuk i përgjigjet avantazheve që ka kjo zonë.
Në faktorët negativë që kanë influencuar në këtë gjendje janë kryesisht e tjetërsimit të tokës bujqësore, organizimit të ulët të prodhimit dhe strukturave prodhuese masive, mungesa e vizionit dhe mbështetjes së fermerëve të këtyre zonave. Gjithashtu kushtet klimatike-tokësore, shtrirja gjeografike e topografike, nuk janë shfrytëzuar deri më tani, të ndjekura këto nga mungesa e strukturave tregtare, të cilat kanë bërë që prodhimi bujqësor e blegtoral në territorin e komunave të mos shfrytëzohet nga popullata rurale që jeton në to.
Po kush janë avantazhet sipas zonave dhe si shfrytëzohen ato?
Prodhimi i perimeve të fushës dhe serave në territoret e ish-komunave të Vaqarit, Kasharit, Bërzhitës, Ndroqit, Bërxullës. Sikurse edhe dihet, në këto territore nuk ekzistojnë grupe prodhuese fermerësh të organizuar apo individualë, që konkurrojnë dhe furnizojnë ndjeshëm popullatën e Tiranës me perime, sikurse janë grupet prodhuese bazë të cilat furnizojnë qytetin e Tiranës me perime të fushës apo të serave, si ato të Lushnjës, Kavajës, Divjakës, Beratit, etj. Prodhimi i rajonit dhe furnizimi i tij i popullatës së Tiranës nuk përfaqëson as 10% të sasisë së përgjithshme të perimeve dhe ato konsistojnë po të shikosh në treg apo në rrugët e Tiranës, sasira të vogla të sallatës, qepëve e hudhrave të njoma, spinaqit, prasit e më pak domate, speca e perime të tjera të verës. Prodhuesit perimorë tiranas, po ashtu edhe të produkteve të tjera bujqësore e blegtorale, janë kthyer në tregtarë, duke blerë në pikat e shumicës perime e produkte të prodhuara jashtë territorit të Tiranës. Prodhimi i ulët i perimeve nga fermerët tiranas, ka bërë që çmimet e produkteve të pakta të jenë të larta dhe ndodhin edhe anomali të tilla si gjatë muajit Prill, 1 kg sallatë të ketë dyfishin e çmimit të 1 kg trangull apo domate të serës. Kthimi i prodhuesve vendas në tregtarë të pakicës është një problem që influencon direkt në uljen e kujdesit të ekonomisë bujqësore e blegtorale në territorin e Bashkisë së re.
Avantazhe të tjera janë edhe vreshtaria (Farkë, Petrelë, Shesh, Ndroq, Dajt) pemët frutore, kryesisht bërthamore (Bërzhitë, Petrelë, Kërrabë, Ndroq, Pezë, Vaqar) ulliri (Baldushk, Pezë, Ndroq, Kashar, Bërzhitë), ku këto rajone kanë qenë të njohura për prodhim të bollshëm e cilësor, baza e furnizimit të popullatës dhe që sot përfaqësohet nga një prodhim i pakët dhe që nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të rajonit. Vënia në efiçencë e kësaj tradite është një domosdoshmëri në zhvillimin ekonomik të këtyre rajoneve, e cila duhet të bashkëshoqërohet edhe me ngritjen e pikave të përpunimit të tyre. Nisma ka, por ato janë të pamjaftueshme dhe sporadike.
Avantazhe të pashfrytëzuara janë edhe zhvillimi i blegtorisë së gjedhëve në zonat fushore dhe asaj të imët në zonat malore. Mjafton të përmendim që këto rajone kanë qenë baza e furnizimit të qytetit të Tiranës me qumësht, mish dhe sot përfaqësohen akoma me bidonët plastikë me qumësht që shiten në mënyrë gjysmë klandestine në rrugët e Tiranës. Ky rajon ka pasur numrin më të madh të lopëve si Republikë dhe vetëm në malësitë e Tiranës, në çajret e Selitës, në masivet e Malit me Gropa, në Bastar-Murrizë, veronin rreth 40.000 krerë të imta, dhe aktualisht nuk janë as 10% e tyre. Malësia e Tiranës duhet mbështetur dhe krijuar kushte sikundër malësitë e Tepelenës, Gjirokastrës e Përmetit, ku kushtet klimatike-tokësore nuk janë më të mira.
Një avantazh tjetër janë masivet e mëdha pyjore, kullosore dhe tradita e prodhimit të patates, prodhimeve të vona në zonat malore të territorit të ri të Bashkisë (Shëngjergj, Zall-Bastar, Kllojkë e Dajt). Në këtë kontekst, të avantazheve të mësipërme, mendoj se organizimi i ri i Bashkisë së Tiranës, të përmirësojë ndjeshëm realitetin e prodhimit bujqësor, blegtoral e rural, nëpërmjet një programi rajonal, që duke iu përshtatur avantazheve, të rajoneve të ndryshme, nëpërmjet rajonizimit, specializimit dhe përqendrimit të kulturave bujqësore dhe për blegtorinë, duke organizuar prodhimin e grupimeve rajonale, organizimin e shpërndarjes së produkteve bujqësore e rajonale, gjë të cilën Bashkia e re mund ta mbështesë dhe influencojë, në krijimin e mundësive për një prodhim intensiv dhe shpërndarje rajonale të organizuar prej saj. Nga ana tjetër mbështetja me projekte, me donatorët e huaj (që asnjë rast nuk pasur), bashkëfinancime nga fondi i rajoneve, MBU-së, Ipard-like, kreditime të buta, të kihen parasysh jo vetëm në zhvillimin e bizneseve, por edhe në përmirësimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës bujqësore e rurale, kryesisht, në ujitjen dhe kullimin, rrugëve rurale dhe pikave të grumbullimit dhe përpunimit.
Organizimi i ri territorial i Bashkisë së Tiranës, ku brenda territorit urban, bashkangjitet natyrshëm edhe një territor i gjerë rural, duhet të krijojë një mendësi të re në organizimin ekonomik dhe një politikë rajonale komplementare në funksion të zhvillimit ekonomik rural në favor jo vetëm të territorit rural, por që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e gjithë rajonit, përfshi edhe atë urban, shpërndarjes dhe konsumit në rritje të popullatës me produkte ushqimore të vetë rajonit.
Në këtë aspekt ka shumë për të diskutuar dhe unë sugjeroj drejtuesit e rinj të Bashkisë së ardhshme, që në zhvillimin e rajonit, e kryesisht të zonës rurale të tij, të paraprihen me organizime të reja, frymë të re, hartimin dhe implementimin e planeve strategjike të zhvillimit rajonal, sektorial, jo vetëm ekonomike, por edhe të zhvillimit të territorit, turizmit, kryesisht të agro-turizmit dhe atij malor, ku territori i Tiranës ka mundësi të shumta për rritjen e nivelit të jetesës të popullatës, si asaj rurale, ashtu edhe urbane.
*Ekspert rural e bujqësor

Analize e shkelqyer e nje komponenti te qyteteve tona qe anashkalohet nga “ekspertet”. Potenciali i zonave rurale eshte komplet i patrajtuar ne studimet e eksperteve te reformes, pervec disa rasteve te rralla.
Te shpresojme qe kandidatet do ta degjojne.
Urime Z. Artur Galanxhi, nje nga ekspertet me me pervoje ne fushen e bujqesise dhe sidomos te zhvillimit rural, drejtues per nje kohe te gjate ne MBU dhe MADA,etj. Dhe vertet kjo eshte nje analize e shkelqyer ky shkrim per domeinin e potencialeve natyrore qe kan Bashkite e Reja-duke filluar nga Tirana dhe ne gjithe vendin. Por mendoj se kjo ekspertize duhej te ishte e perfshire ne programet e kandidateve dhe eksperte te tille-te vyer-ne stafet e tyre ne e pas fushates, d.m.th kur te ulen ne karrigen e Drejtuesit, perndryshe do vazhdojne te merren vetm me ndertime dhe punet komunale….por kjo do akumen-d.mth.-aftesi menaxheriale.
PRANDAJ TE JETE SH QINA KRYEBASHKIAKE SE AJO PUNON ME DORE E ‘PA VADITUR E PA PRASHITUR MARSHALLAH SA QEKA RRITUR’
Analize interesante dhe e vlefshme.
Analyse e pasur nga nje specialist me përvojë te gjatë. Probltemi eshte shumë I rëndësishëm dhe i kohës edhe për vende te zhvilluara. Uroj që këndvështrimi i thellë i Artur do ti shërbejë këshillit te ri që do te zgjidhet se shpejti me ndihmën e autorit.
Mos se e mbyte erion in me keto:ai nuk do me dite gje per bujqesi,nuk eshte ‘moderne’…
Brilante ne ide dhe analize me shume vlera per nje profesor me nje eksperience te gjate ne fushen e tij..! Urime i nderuar,do te jene me fat nese do te kene prane..!