Lajmi se dy policë u arrestuan me akuzën e lëshimit të një pasaporte fallso për një të akuzuar për trafik klandestinësh, mbërriti dhe në veshin e një fëmije; i cili e kishte mjaft të vështirë ta kuptonte se si mundej që, pikërisht ata, policët pra, të ngarkuar për të prangosur shkelës të ligjit e keqbërës të ndryshëm, vjen një çast dhe prangosen vetë. Për kushtet shqiptare, kjo nuk është ndonjë gjë e rrallë. Tek ne, punonjësit e rendit, pavarësisht profesionit për të cilin paguhen, janë po aq të riskuar dhe t`ia vënë prangat vetes, pikërisht ngase kultura e mbrapshtë e shkeljes së ligjit, si të ish bisht cigareje e hedhur në tokë, ka përfshirë dhe ata në një masë të madhe. Sa për shembull: a nuk kishte dhe në rradhët e tyre hajdutë energjie me shumicë?!Por për një mendje fëmije, kjo është e vështirë të rroket; shpjegimi që mund t`i jipet, është i papërballueshëm për atë pak inteligjencë që posedon. Mbasi i thua se dhe policët mund të bëjnë gabime e të futen në burg, fëmijë gjen një shteg tjetër për ta amortizuar shkallën e lartë të absurdit: “Po ata që i arrestojnë, nuk i kanë shokë, apo jo?!”Pra, për një fëmijë është absurde që, polici policin ta arrestojë, vetëm nëse nuk njihen me njëri-tjetrin. Dhe jo vetëm për çfarë ndodh në Shqipëri, por kudo, është një sfidë e madhe sot që t`ua servirësh fëmijëve në një “ambalazh” normal, “produktet” e çmendura të realitetit. Më mirë ‘Tom & Xherr’ në vend të lajmeve, e jo vetëm për ata! Sidomos kur pas policëve me pranga ndër duar (!), vijnë lajmet me kanibalizmat e ISIS-it.
