SHËNIM: Parku, parkimi dhe “shoqëria civile”

redaktor

Parkimi nëntokësor që do të nisë të ndërtohet në Parkun “Rinia” ka ngrënë debate këto ditë nga një grup ambientalistësh, të cilët edhe kanë tubuar në fundjavë kundër ndërtimit të tij nga Bashkia e Tiranës. Arsyet për kundërshtimin e këtij parkimi është vetëm një: Parku Rinia do të prishet dhe betonizohet.

Përpos faktit se në tubimin e grupit të ambjentalistëve u panë edhe dy fytyra jo të reja për publikun tiranas, siç ishte Jamarbër Malltezi (!?) dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha, një nga mbështetësit kryesorë të planit urbanistik të miratuar nga ish kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e që është kundërshtuar aq fort nga të njëjtët ambientalistë, të cilët u shfaqën krah tij këtë fundjavë në Parkun Rinia; dhe i dyti, Besnik Aliaj, këshilltar i PD në Këshillin Bashkiak aktual të Tiranës, i cili gjoja në emër të Unionit Shqiptar të Arkitektëve (që e ka themeluar vetë), kërkon shpjegime për projektin e parkingut nëntokësor, ndonëse këtë mund ta bëjë shumë mirë thjesht duke marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Për të mos vijuar pastaj me ndonjë ish këshilltar të Lulzim Bashës në Bashki, si Romeo Hanxhari…

Megjithatë, duke lënë mënjanë konjukturat e grupeve ambientaliste që nxiten nga drejtues të lartë të PD-së, edhe pse këta të fundit dikur kanë votuar pro (!?) ndërtimit me konçension të këtij parkingu nëntokësor në të njëjtin vend (Parku Rinia), por me kushte më të disfavorshme për Bashkinë e Tiranës (vendimi i qeverisë së PD në 2009 ia jepte koncensionin kompanisë për 35 vjet dhe vetëm 10% fitim i kalonte bashkisë; ndërsa këshilli aktual bashkiak e ka dhënë për 30 vjet me 15% fitim për bashkinë), është e udhës të japim edhe ndonjë shembull se si funksionojnë në botë parkingjet nëntokësore dhe a mund të rikthehet në sërish në park të gjelbëruar Parku Rinia.

Rastet e shumta tregojnë se po: Parku Rinia, mund të jetë edhe parking nëntokësor poshtë, por edhe park i gjelbëruar me pemë e lulishte, sipër. Një nga shembujt më të mirë në botë është ai i “Willoughby Square” në qendër të Brooklyn-it në SHBA. Parkingu në fjalë hapet këtë vit dhe është i përbërë nga një hektar hapësirë e gjelbër, me pemë të rritura, kopshte, kënde për piknik dhe burime uji për qytetarët. Ndërsa nën të, do të funksionojë një parking nëntokësor me kapacitet 700 makina, i cili do të ulë ndjeshëm sasinë e ndotjes së ajrit.

Një tjetër shembull i suksesshëm është ai i Grand Park North në Çikago, i cili jo vetëm funksionon si një park nëntokësor, por mbi të ka një pistë patinazhi në akull si dhe male artificiale për t’u ngjitur, duke sjellë një hapësirë tërësisht rekreative dhe argëtimi për fëmijët dhe qytetarët.

Rasti i tretë që dua të sjell këtu si shembull është ai i një parku në qendër të Bostonit: I ndërtuar si një bashkëpunim publik-privat, të ardhurat që vijnë për bashkinë nga parkingu nëntokësor i kalojnë mirëmbajtjes së qytetit dhe kryesisht hapësirave të gjelbrave dhe parqeve. Zonat e gjelbra mbi këtë park, i cili nëntokë është parking, janë të shumta, me një shatërvan në qendër, ndërkohë që ka krijuar një hapësirë të hapur në një zonë të qytetit ku dendësia e makinave ka qenë shumë e madhe.

Mjaftojnë këto tre shembuj (por, në internet gjen me qindra të tillë) për të kuptuar një gjë: që parkingjet nëntokësore janë një zgjidhje e gjelbër dhe e shëndetshme për të zgjidhur trafikun e ngarkuar në qytet.

1

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *