SHËNIM: Pendimi nga halli pas një vrasjeje prej pasioni!

anazapta

Nuk jemi të informuar për shumë detaje të rrëfimit të vrasësit Odise Verbofshi para hetuesve pak orë pas arrestimit, në tentativë për t`u larguar drejt Greqisë, por me sa është dhënë në media, ai ka shprehur pendesë për vrasjen e dy të rinjve fushkrujas, që makabritetin e kanë shoqëruar dy etapa: plumb kokës e me pas djegie të kufomave.

Një krim i ndodhur jo në rrethana tipike gjaknxehtësie, pasi nuk kanë qenë përfshirë në ndonjë sherr të rastësishëm, por një  krim tipik prej një njeriu të kriminalizuar në asht nga marrja me trafik droge, gjersa dhe ambientet e shtëpisë i kishte shndërruar në magazinë të miellit të bardhë.

Ka thënë se është penduar për vrasjet, por ngjan se është pendim nga halli, pasi ka vërejtur se rrethanat nuk i japin asnjë lloj shansi, sado të vogël, për t`i shpëtuar drejtësisë. Pendimi ka vlerë reale, nëse një krim kryhet në kushte specifike krejt rastësore dhe nuk përcjell një përmasë kriminale të vrasësit, por një fat të keq të tij, ndikuar nga faktorë psikologjikë momenti.

Nëse vërtet Verbofshi është penduar safi, pendimi i tij duhet të përfshijë gjithë zejen e një trafikanti droge, që më pas e çoi në një krim llahtarë, e më pas në rrëfime të sinqerta për të gjitha lidhjet e rrjetit tër trafikimit ku bënte pjesë si shprehi e një pendese të thellë. Ndryshe do mbetet thjesht një pendim nga halli pas një vrasjeje prej pasioni.

P.S. Viktimat e Verbofshit nuk janë dy, por tre. E treta është nëna e tij, e cila iu përbetohej mediave mes ngashërimeve, se i dhimbseshin dy të rinjtë e vrarë prej të birit, e jo vetë ky i fundit. Dhimbjen tjetër e kish nga fakti se, siç thoshte, ishte përpjekur ta edukonte. Ishte pothuaj e ekzekutuar dhe ajo prej pjellës së vet. Mu në zemër!    E.H.

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *