SHËNIM: Për të qenë serioz në respekt të viktimave

redaktor

Eshtë një e vërtetë therrëse ajo që dikotomia “tragji-komik” ka shoqëruar njeriun, sjelljet, punët e bëmat tij përgjatë gjithë rrjedhave të historisë, që ka pra në qendër vetë atë: njeriun! Do mjaftonte kryevepra “Ushtari i mirë Shvejk”  për ta patur si ilustrimin më adapt e ekselent të këtij fakti e pohimi bashkë. Mu në zjarrin e një lufte të tmerrshme si ajo e Para Botërore, një vëzhgues i mprehtë i shoqërisë së asaj kohe si Hashek, zbulon anën komike në atë lloj kasaphane, duke e përcjellë atë absurd me një cinizëm e ironi fine, të ngritur në nivelin e një satire brilante. Vetëm kjo parantezë mund t`i shkojë përshtat e ta justifikojë publikimin së fundit të një lajmi mbi numrin e thikave që u ishin ngulur tre vajzave nga nëna e tyre shqiptare, një akt i pazakontë çmendurie njerëzore ndodhur javë më parë në Itali.

Një ngjarje e tillë, është aq tronditëse në ankthin që përçon për çdo vesh që e dëgjon, saqë ja vlen një përkujdes njerëzor nga ana e lajmësave, të medias apo të segmenteve të tjera qofshin siç mund të jenë ato të rendit, për ta mbajtur paksa nën kontroll e për të mos e lëshuar aq shkujdeshëm në publik me çdo detaj, që jo domsdoshmërisht futet tek e drejta për informim, siç është së fundi dhe numri i thikave. Sepse pas këtij momenti, gjithçka nis e rrëshqet në degjenerimin e lajmit, ku tragjikja, po aq çmendurisht nis e përfton nuancat e komikes, ku fjala vjen, të vjen ndërmend ajo loja fëminore që i kushtohet shkathtësisë gojore: pse 90-të po sa?! E së këndejmi, komikja gjenerohet nga të tjera pikëpyetje se përse ka qënë shifër e rrumbullakosur, 90-të, e jo një shifër tjetër, më pak ose më shumë, që mbaron me tek ose çift?!

E për të qenë serioz në respekt të viktimave, por dhe serioz përballë një akti tru-heqës si ai, duhet thënë se çfarë është me interes për hetimet, jo patjetër është me interes për publikun. Publikut i ka mjaftuar fakti rrënqethës që një nënë vret fëmijët e saj në një çast depresiv; dhe ajo që do i interesonte në këtë rast, është më së pakku analiza e një psikologu e më tej qasjet e sferës sociologjike e fetare bashkë.

Fakti se me ç`thikë u vrau, sa herë ua nguli, e nisi nga më e madhja apo më e vogla, janë në mos çmenduri të një lloji tjetër me “viktimë”  arsyen njerëzore, patjetër marrëzira  të një kohe ku ‘lajmi i keq’ si “lajm i mirë”, është bërë krejt tragji-komik duke u shenjtëruar më tepër së ç`duhet/E.H

Share This Article
1 Comment
  • Shqetsimi qe percjell kjo ´terheqje vemendje´,per ata qe na informojne eshte shume me vend.Por dyshoj qe personat pergjegjes,ne web-et e gazetave te ndryshme,jane ne te shumten,te rinj te paformuar plotesisht,pa eksperiencen jetesore dhe deri diku te paafte per gjylkime te kesaj natyre….Ata qe percjellin lajmin duhet te jene ne fakt te afte te kene nje gjykim te shendoshe,per ate qe duhet te na servirin…Iliri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *