Shënim: Peshëngritja nuk është rastësi

Dita

Nga sportet individuale peshëngritja ka qenë për t’u marrë shembull. Mjaft prej tyre si H.Pampuri, F.Kalleshi, H.Cenaj, A.Belinova, B.Budinaku, M.Hakani, etj. kanë arritur rezultate të larta dhe në disa veprimtari ndërkombëtare duke marrë medalje ari, argjendi dhe bronzi. Mendoj se në rast se peshëngritësit tanë e kanë marrë dopingun pa dijeninë e tyre, ata nuk kanë faj. Kjo është një pabesi dhe poshtërsi që ju bëhet, por nëse ata kanë dijeni dhe janë të ndërgjegjshëm për këtë, kjo i ngarkon me përgjegjësi të rëndë. Aq më tepër, disa prej tyre për këtë janë ndëshkuar. Është me të vërtetë për të ardhur keq dhe këtë e them me sinqeritet sepse jam vetë trajner, por kështu si veprohet ne hedhim poshtë punën, djersën e mundin e sportistëve. Kjo ndodh sepse disa trajnera, sportistë ose drejtues duke u nisur nga egoizmi i tyre i shfrenuar, arrijnë deri këtu. Unë mendoj se është një kënaqësi dhe fitore e madhe nëse një peshëngritës, atlet apo notar në një veprimtari ndërkombëtare të radhitet i 3,4,5 apo i 6–ti. Përse medoemos duhet të zëmë vendin e parë ose të dytë dhe kjo në rrugë të shtrembërt.  Me këtë nuk dua të them që nuk duhet të luftojnë sportistët tanë për të zënë vendin e parë ose të dytë, por kjo të bëhet në rruge të ndershme. Në vitin 1972 me sa mbaj mend ekipi i Dinamos në volejboll për meshkuj, me trajner z.Vangjel Koja u radhit në katërshen e ekipeve më të mira të Europës. Dhe kjo ishte një ngjarje e madhe për sportin tonë. Ne ku ta gjejmë sot që një notar të dalë në finale e 8 notarëve më të mirë të botës, në kampionatin botëror ose europian me pjesëmarrjen e 120–130 notarëve. Pra, nuk e kuptoj përse gjithë ky cinizëm dhe egoizëm i shfrenuar. Rezultatet e larta në sport arrihen me punë të madhe, me sakrifica e përkushtim e jo duke përdorur doping. Ajo që më bën përshtypje më tepër është fakti, që përse i largojmë sportistët për stërvitje kaq larg dhe kërkojmë përgjegjësinë diku gjetkë. Për këtë mendoj se përgjegjësinë në radhë të parë e ka federata dhe presidenti i saj. Duke patur dhe eksperiencën e hidhur në këtë drejtim, mendoj se ata nuk duhet t’i çonim kaq larg. Aq më tepër që dhe trajneri i vjetër i tyre z.H.Shaqiri e ka ngritur me forcë këtë problem e shqetësim dhe nuk ka qenë dakord që sportistët të shkonin në Greqi. Por fatkeqësisht zëri i specialistëve në këtë federatë nuk dëgjohet. Mendoj se ky është dhe problemi kryesor dhe kjo nuk është rastësi në peshëngritje. Këto ndodhin dhe në federata të tjera, por shqetësimet nuk janë të kësaj natyre. Edhe ekipi kombëtar i notit për në kampionatin botëror që u zhvillua në datën 6 – 9 dhjetor 2014 në Katar, shkoi pa u pyetur fare trajnerët e specialistët. Siç duket këshillat e trajnerëve në këto federata nuk funksionojnë si duhet siç ndodh në not, edhe pse e kemi ngritur disa herë këtë problem. Funksionimi i tyre do të lehtësonte më shumë dhe punën e federatave.

Thuhet që janë larguar peshëngritësit për stërvitje sepse baza materiale është e dobët. Po përse nuk punojnë për ta përmirësuar atë. Baza materiale sportive nuk është vetëm për ekipin kombëtar. Nëse ajo mungon, duhet bërë problem deri në Ministri dhe Qeveri. Këtu nuk është fjala për sportista ordinerë, por për të nxjerrë një kampion bote ose nënkampion. Pastaj po vetë presidenti i Federatës që është zgjedhur çfarë bën? Nëse ai nuk është në gjendje për të ndërtuar një sallë 20-25 m me 10-15 m të gjerë për stërvitje normale të peshëngritësve, atëherë është e kot dhe që diskutojmë.

Unë mendoj se ka disa presidentë që para se të zgjidhen, marrin angazhime e zotime duke thënë : “Do të bëjmë atë, e do të bëjmë këtë“, ose “do të japim 30 apo 40 mijë dollarë për sportin” etj. Disa nuk lënë gjë pa thënë dhe me servilizëm në adresë të trajnerëve si: “Ju jeni ata që keni mbajtur këtë sport, ose “se bashku do të luftojmë për të ndryshuar gjendjen“, etj. etj, por sa zgjidhen i harrojnë këto premtime dhe marrin një “hije të rëndë” sikur janë zgjedhur president të vendit e jo të një sporti. Një herë në Sarande ish–presidenti i notit përpara z.A.Çiraku me tha: -“E dini çfarë do t’ju bëj unë juve“ , jo – i thashë si me të qeshur, “çfarë do të na bësh” dhe ai vazhdoi: -“Do t’ju bëj që kur të më shikoni mua të dridheni”. Nuk m’u durua dhe i thashë: “Do të na marrësh të keqen dhe të vijë rëndë“, etj. Dhe që nga ajo ditë nuk i flisja më. Ai më vonë bëri vetë dorëheqjen dhe bëri mirë sepse në not u krijua një situatë e rëndë me të gjithë trajnerët. Por mendoj se nuk duhet të harrojmë se një pjesë e tyre kanë dhënë një ndihmesë dhe kontribut të madh në sport, sidomos në periudhën e tranzicionit që duhen falënderuar për këtë. P.sh në not z.H.Hafizi në vitin 2001-2006 si president i federatës ka punuar shumë mirë. Ai ishte një burrë i qetë e i matur që komunikonte shumë mirë me trajnerët. Dy herë me shpenzimet e tija ai grumbulloi ekipin kombëtar të notit në Hotel Ballkani ( me 24-25 veta),  para kampionatit ballkanik në Greqi në vitin 2001 dhe në lojërat e Mesdheut kupa K.O.M.E.N që u zhvillua në Tiranë për herë të parë. Gjithashtu ai shpenzoi dhe për bazën materiale sportive për garat si syze, rroba banje. etj. Unë mendoj se Ministria e Arsimit dhe Sporteve duhet të merret seriozisht me federatat deri sa  i jep fondet. Edhe për zgjedhjen e presidentit, të mos lejojnë të bëjnë çfarë të duan. Në krye të federative të vënë specialistët më të mirë të profilit të sportit. Zgjedhjet e presidentëve është mirë të bëhen njëherë në 2-3 vjet sepse 4 vjet janë shumë. Ai që di të punojë mirë, rezultatet e punës duken që në vitin e parë. Reformat në sport i bëjnë njerëzit që e ndiejnë dhe e kuptojnë sportin, ata që e kanë pasion atë. Në këtë drejtim duhet që të kemi më tepër besim te kuadrot e fizkulturës. Është kënaqësi që sot si zv.Ministër për sportin kemi z.R.Dimraj që ka qenë një nga atletët më të mirë të vendit në vrapime të mesme e të gjata. Ai ka dhënë një kontribut të madh për atletiken i cili duhet mbështetur e ndihmuar. Duhet të ndryshojë dhe ligji për sportin, sepse deri tani në sport janë afruar disa militantë të partisë që ishte në pushtet. Vinte dikush nga Shkodra, Lezha apo Vlora në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve sikur nuk kishte kuadro nga Tirana të aftë me tituj shkencore si T.Shyti, B.Milo, A.Toska, K.Haxholli, A.Kariqi, S.Mema, P.Xhixho, etj. Këta janë figura me një kontribut të shquar në sport. Mendoj se sporti nuk ka nevojë në drejtim për tifozë. Sporti kërkon njerëz të aftë dhe me nivel. Në vitin 2007 me sa mbaj mend, kur ishin 2 federata na vjen në mbledhje zv.Ministri z.M.Spahiu, dhe ne kërkonim fonde për notin se ishin të pakta, kur ai na tha: “Ku kanë shkuar 30 milionë lekë të vjetra që kemi dhënë shtesë. Dhe do të mbani përgjegjësi për këtë”. Por dhe sot nuk u mor vesh se çfarë u bë me to dhe kush i mori. Prandaj në këto forume është e nevojshme që të zgjidhen njerëz të ndershëm e jo njerëz që e kanë mendjen në xhepat e tyre. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka tabela elektronike për garat e notit, akoma koha e notarëve matet me kronometër. Por dhe sa kohë do të vazhdojë kjo gjë?

Mendoj se sekretarët e federatës duhet të jenë të profilit të sportit dhe specialistët më të mirë. Ka 7-8 vjet që federatën e notit e drejton z.S.Haxhija si sekretar, mësues italishte që nuk është marrë asnjë ditë me not. Mendoj se është mirë për të gjithë që ajo të japë dorëheqjen sepse nuk e bën dot dhe pasion nuk e ka. Asnjëherë nuk ka ardhur në Vlore që të shohë se ku dhe si stërviten notarët.

Trajner i merituar”, Vlorë

Share This Article
2 Comments
  • E LEXOVA ME SHUME KUJDES SHKRIMIN TUAJ.EDHE UNE I BASHKANGJITEM SHKRIMIT DHE MENDIMIT TUAJ MGJTHSE JETOJ NE GREQI.SPORTI NE SHQIPERI ESHTE NJE PROBLEM SHUME SERIOZ QE NUK E VEN UJIN NE ZJARR ASNJERI,VETEM KUR MARRIN MEDALJET DELIN PE PIKE TURPI E PRESIN NE AEROPORT.GJE QE PER MENDIMIN TIM ESHTE NJE OFENDIM PER SPORTISTET TANE PROFESIONISTE.DHE SI PERFUNDIM PRESIDENTI QE TE KUPTOJE HALLET E SPORTISTIT DUHET TE KETE QENE VETE SPORTIST FLM .

  • E padiskutuar qe asgje nuk eshte rastesi. Problemi qe ngre trajnieri i nderuar eshte mjaft i drejte. Ka shume vite qe sekretare e FSHN-se eshte kjo zonje, e cila eshte bere barsolete me injorancen e saj ne kete lloj sporti dhe si per cudi ajo qendron akoma ne ate pozicion. FSHN-ja eshte kthyer ne nje klub pazaresh ku presidenti me sekretaren bejne qokat e tyre. Te gjithe shpresuam se me ardhjen e z.Agim Ciraku ne krye te federates , gjerat do te ndryshonin. Por asgje nuk ndryshoi, si ne forme ashtu dhe ne permbajtje. Keta njerez nuk kane aspak ndjeshmeri per sportin , sa te krijohet pershtypja se misioni i vetem qe kane, eshte shkaterrimi i tij. Duket se deri me tani po e realizojne me sukses kete mision. Nuk shpresoj aspak ne doreheqjen e sekretares, sepse nga ai vesh dhe ai sy , ajo nuk degjon dhe shikon. Ajo qe shpresoj eshte qe, notaret me trajnieret ne krye , te ngrene me teper zerin . Ky ze te jete i fuqishem dhe i bashkuar, sepse mjafton t’i referohesh Kampionatit te fundit Boteror ne Doha ku,edhe pse u pane qartazi allishverishet e tyre, u be ndonje ankese tek-tuk dhe ne fund asgje. Gjembat qe nuk u hyne aspak ne kembe ia hedhin notit, duke mos e lene te marre fryme . Edhe pse nuk kam shume informacion per federatat e tjera, jam shum e sigurt qe funksionojne njesoj si FSHN.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *